E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha me grip, shtyhet mbledhja



ADI SHKEMBI

Gjendja shëndetësore e kryeministrit Berisha, shtyn mbledhjen e parashikuar për dje të qeverisë. E parashikuar për t‘u zhvilluar si zakonisht ditën e mërkurë në orën 11:00, ajo është shtyrë për një nga dy ditët e ardhshme. Lajmin mbi gjendjen shëndetësore të kreut të ekzekutivit, e ka bërë të ditur zëdhënësja e qeverisë, Erla Mëhilli, sipas së cilës “mbledhja e qeverisë e parashikuar për sot, e mërkurë, 21 korrik 2010, u shty për një kohë tjetër, për shkak të një gjendjes febrile gripale, me çrregullime digjestive, që ka prekur kryeministrin Berisha dy ditët e fundit”. Në të njëjtën kohë ajo bëri të ditur se “gjendja shëndetësore e kryeministrit është në përmirësim. Pritet që mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave të zhvillohet gjatë 2–3 ditëve në vijim”. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur për gazetën, se gjatë dy ditëve të fundit, të martën dhe të mërkurën, kreu i ekzekutivit nuk ka dalë në zyrë, duke preferuar regjimin e shtratit. Sipas përkufizimeve mjekësore, termi ‘gjendje febrile gripale’ do të thotë gjendje gripi e shoqëruar me temperaturë, që nuk e kalon 37- 38 gradë celsius. Ndërsa termi ‘çregullime digjestive’ ka të bëjë me probleme në stomak për shkak të tretjes.
Axhenda e kryeministrit
Për herë të parë në këto pesë vjet, kur qeveria e djathtë ka dërguar buxhetin në Parlament, kryeministri Berisha nuk ka qenë i pranishëm në seancën maratonë të së hënës. Ndryshe nga herët e tjera, kur kreut të ekzekutivit i është dashur të përballojë vetë të gjithë debatin mbi shifrat e rritjes ekonomike apo investimet dhe rritjen e pagave e pensioneve, në miratimin në parim të shkurtimeve për vitin 2010, këtë herë në Kuvend ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, ai që ka mbrojtur draftin e ri të buxhetit. Ndërkohë, që anëtarët e tjerë të qeverisë i janë përgjigjur akuzave të opozitës, sipas fushave që ata mbulojnë. Edhe gjatë ditës së martë, kreu i ekzekutivit nuk ka zhvilluar asnjë takim. Zyra e shtypit e Kryeministrisë njoftoi të martën në mbrëmje, se të mërkurën në orën 11:00 do të zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, por ajo u shty duke parë pikërisht gjendjen shëndetësore të Berishës. Ndërkohë, zyrtarët e ekzekutivit nuk bëjnë të ditur nëse kryeministri do të jetë në seancën e sotme të Parlamentit, kur pritet që të diskutohen një numër i madh ligjesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›