E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi bojkoton Kuvendin për shkurtimin e buxhetit,Kushtetuesja: Nuk kemi para të paguajmë dritat



Presidenca bojkoton Kuvendin. Institucioni i kreut të shtetit nuk mori pjesë dje në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për shkurtimin e fondeve në buxhetin e Presidentit, duke mos çuar asnjë përfaqësues apo shkesë në Komision. Deputetët e të dyja palëve e cilësuan të pakuptimtë këtë qëndrim të Presidencës, për një çështje kur të gjitha institucionet e pavarura kanë raportuar për shkurtimet në buxhetin e tyre. “Kemi pasur të planifikuar Presidencën. Me lejoni t’ju informoj të nderuar deputetë, se pavarësisht insistimit të stafit të Komisionit, nuk u bë e mundur që të sillet as material me shkrim dhe as të dërgohen përfaqësues. Me gjithë keqardhjen që kam, unë jam i detyruar që këtë pikë të rendit të ditës ta kaloj në mungesë të përfaqësuesve të Presidencës”, informoi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, kërkoi informacion nga përfaqësuesja e Ministrisë së Financave në Komision mbi sasinë e shkurtimit të fondeve në buxhetin e Presidencës. Drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, deklaroi se Presidencës i janë shkurtuar me 10 për qind fondet, ose 25 milionë lekë. “Unë nuk e kuptoj dhe e quaj të paarsyeshme mungesën e zyrës së Presidencës së Republikës në këtë komision”, u shpreh deputeti i PS-së, Tahiri. Dje në Komision raportuan të gjitha institucionet e pavarura, ku pjesa më e madhe u ankuan për shkurtimin e shpenzimeve, por mungesa e Presidencës nuk u komentua më tej nga deputetët. Më pas, deputetët zhvilluan një debat të ashpër për Gjykatën Kushtetuese. Përfaqësuesi i saj tha në Komision se Gjykata Kushtetuese kërkon fonde për mbajtjen në punë të 11 shoferëve, çka shkaktoi debat mes të dyja palëve.
Debati
Deputetët e PD-së e cilësuan të paarsyetuar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për fonde shtesë për mbajtjen në punë të 11 shoferëve të gjyqtarëve. Sipas tyre, gjykatësit kanë dieta të gjera, si karburant apo shpenzime për telefon. Ndërsa deputetët e opozitës u shprehën se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që duhet të kthehen në punë shoferët e kësaj gjykate. Në Komision u bë një debat i ashpër për shoferët e kësaj gjykate. “E vetmja gjë që ju nuk mund të bëni, është që të urdhëroni të jepen pagat e shoferëve. Mund të shfuqizoni ligje, por s’mund të urdhëroni. Dhe këtë e keni bërë në disa shkresa”, tha Rusmali. Një tjetër pikë ishte edhe shkurtimi i fondeve, për të cilat sekretari i Përgjithshëm i kësaj gjykate, Kujtim Osmani, tha se mund t’u ndërpritet edhe energjia elektrike. “Kjo i ka të gjitha trajtat e hakmarrjes politike të maxhorancës ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sugjeroni që karburantin ta kurseni për vaj kandili për Gjykatën Kushtetuese”, komentoi deputeti i PS-së, Tahiri, ndërsa deputeti Pandeli Majko u shpreh se po preken funksionet e Gjykatës Kushtetuese, duke i cilësuar shkurtimet në buxhet si “revolucion kulturor kinez”.

SHISH-it i shtohen fondet, Prokuroria nuk ankohet
Shërbimit Informativ iu shtuan fondet pas ankesave të bëra nga ky institucion për shkurtimet në buxhet. Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u miratuan shkurtimet në buxhet, e duke vendosur që nga 27 milionë shkurtime për SHISH-in të shkurtohen vetëm 10 milionë lekë. Gjithsesi, SHISH do të kalojë në Komisionin e Ekonomisë për të mos u shkurtuar më tej fondet. Nga ana tjetër, Prokuroria nuk është ankuar për shkurtimet e shpenzimeve. Këtij institucioni i janë shkurtuar vetëm një pjesë e vogël e shpenzimeve.

Gjykata Kushtetuese: Mund të na heqin dritat
Institucionet e drejtësisë ankohen fort në Kuvend për shkurtimet në buxhetin e tyre. Kushti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, si dhe zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor, kanë paralajmëruar se nga ulja e shpenzimeve, nuk është çudi që të ngelen debitorë me OSSH-në dhe t’u ndërpritet energjia elektrike. “Na duhet të mbulojmë shpenzimet e energjisë elektrike për shkak të rritjes së investimeve në teknologji, por edhe për shkak të rritjes së çmimit të energjisë”, shprehen këto institucione në shkresat e tyre.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Kujtim Osmani (Gjykata Kushtetuese): Ne kemi këtë siklet. është krijuar një ngërç për shkurtimin e 11 punonjësve në strukturën e saj në Gjykatën Kushtetuese. është krijuar një ngërç artificial me reduktimin e punonjësve .
Nasip Naço: Më bën përshtypje që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për shpenzimet e telefonit të tij ka caktuar 400 mijë lekë, ndërsa për gjyqtarët e tjerë 250 mijë.
Pandeli Majko: A mundet një shpjegim, se ç’do të thotë t’i shkurtosh një institucioni 20 e ca për qind personel e buxhet? Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm, ku përplasen valët edhe majtas, edhe djathtas.
Mimoza Dhëmbi: (Ministria e Financave) Këto janë shkurtuar për efekt të ligjit të transporteve. Janë vetëm shoferë.
Pandeli Majko: Ky ligj është shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese. çarë janë këto histori. Janë shkurtuar 22 % të shpenzimeve. E papranueshme. Revolucioni kulturor i viteve ‘70.
Dashnor Sula: Ky është turp. Të bësh debat për shoferë tani.
Shegushe Ligori: është vendim i Gjykatës.
Saimir Tahiri: Unë dua të di a keni gjetur zgjidhje për 11 punonjësit që nuk marrin paga që nga marsi i këtij viti. Kam një shqetësim edhe për shkurtimin e shpenzimeve operative. Ju thoni se ulja e këtyre shpenzimeve rrezikon shpenzimet për drita e ujë. Rrezikon të mbetet Gjykata Kushtetuese pa drita?
Kujtim Osmani: Po qe se ne nuk paguajmë këto detyrime që kemi, atëherë do të varet nga KESH-i nëse do të na i presë dritat ose jo. Deri më sot i kemi, por më vonë...(të qeshura në komision)
Saimir Tahiri: Gjykata Kushtetuese do të punojë me qiri.
Kujtim Osmani: S’do i paguajmë dot, se nuk do kemi para.
Ilir Rusmali: Po, me qiri do punoni. Qetësi! Nuk jemi në pazar këtu.
Eduard Halimi: A është deformuar puna e Gjykatës Kushtetuese, që është dhënia e vendimeve, nga mungesa e shoferëve?
Kujtim Osmani: Nuk mund të interpretoj vendimin e Gjykatës. Ata shoferë vijnë në punë, por nuk marrin rroga.
Bashkim Fino: Kjo është denigruese. Gjykata Kushtetues mund të ngelet pa drita.
Ilir Rusmali: E vetmja gjë që ju nuk mund ta bëni, është që të urdhëroni të jepen pagat e shoferëve. Mund të shfuqizoni ligje, por s’mund të urdhëroni. Dhe këtë e keni bërë në disa shkresa.
Pandeli Majko: Përfaqësuesit e Gjykatës po shprehen se po preket funksionaliteti i kësaj Gjykate. Ju po godisni autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Duhet t’i lini kinezëritë dhe revolucionet kulturore. Jo po të shkojnë më këmbë, jo po ashtu.
Ilir Rusmali: Zoti Majko, shkelët Rregulloren. Nuk folët për procedurë.
Nasip Naço: U tha këtu që Gjykata Kushtetuese s’ka para. Por mjaftojmë që të shohim tarifat e celularëve dhe shpenzimet e karburantit. Sa fonde keni për dritat, për ujin? Po për karburantin?
Kujtim Osmani: Të gjitha këto shpenzime janë përcaktuar nga mbledhja e gjyqtarëve. Tani ne do heqim diku që të likuidojmë KESH-in dhe ujësjellësin.
Bashkim Fino: Tani do të keni drita, apo jo. Nuk e morëm vesh këtë.
Saimir Tahiri: Kjo i ka të gjitha trajtat e hakmarrjes politike të maxhorancës ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe nga zoti Naço, që ju sugjeron që karburantin ta kurseni për vaj kandili për Gjykatën Kushtetuese, unë po ju kërkoj të di cilët janë zërat imediatë që keni.
Ilir Rusmali: Zoti Osmani, a jeni në krizë ju?
Bashkim Fino: Pse bën komente ti (Rusmali)?
Ilir Rusmali: Këtu po bëhen tentativa për ta projektuar krizën tuaj të brendshme në Gjykatën Kushtetuese. Unë kam nevojë që para vajit të kandilit që the ti, të ndez alarmin e shqiptarëve, por po pyes përfaqësuesin e Gjykatës.
Kujtim Osmani: Në vendimmarrje Gjykata Kushtetuese nuk ka krizë. Sinqerisht, na ndihmoni për çështjen e shoferëve. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese është thënë se prania e shoferëve është dinjitet, siguri.
Edi Paloka: Ne që jemi pa shoferë, i bie që s’kemi dinjitet ne?
Bashkim Fino: Po pse Jozefina ka shofer dhe këta të mos kenë? Ti s’ke respekt për veten, ndaj s’ke shofer.
Shegushe Ligori: Këtu u kthye në një debat shoferësh. Dua të di cilat janë kriteret për shkurtimin e fondeve në marrëdhëniet ndërkombëtare që ka Gjykata?
Edi Paloka: Qenkan cenuar keq (gjykatësit). Duan të shëtisin jashtë shtetit. (debat Fino-Paloka)
Fatos Hoxha: Zoti Fino, ju lutem.
Bashkim Fino: Më fal Fatos. çfarë janë Fatosa, kam respekt për të gjithë.
Edi Paloka: E keni harruar fare (Fatos Nanon).
Fatos Hoxha: Kam një shqetësim. Nëse opozita ankohet në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet e 28 qershorit, ky rishikim i buxhetit a mund ta pengojë këtë nismë të tyre nëse do të shkohet në Komisionin e Venecias?
Ilir Rusmali: Po në këtë rast, si do të vononim ne? Dakord pra.
Bashkim Fino: Po ne si do të votonim?
Ilir Rusmali: Nëse do e çoni këtë çështje në Gjykatë dhe shkon për vizitë në Komisionin e Venecias, do t’jua japim të bardhë atë çekun e dietave.
Bashkim Fino: Jo. jo. Të bardhë nuk e duam.
Pandeli Majko: Propozoj që ta mbyllim debatin. (të qeshura) Propozoj ta mbyllim debatin se po kalon çdo vijë të sjelljes normale.
Edi Paloka: Më fal, por unë s’e kam mbyllur debatin.
Ilir Rusmali: Kemi tejkaluar me 35 minuta kohën e debatit të seancës dëgjimore. Prisja të kisha përballë Gjykatën Kushtetuese, por pata përballë 11 shoferë. Gjithë solidariteti im shkon me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›