E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama xheloz ndaj Priftit,shitja e aksioneve është korrekte



“Xhelozia e Ramës ndaj Priftit është e vjetër”, deklaroi dje, në një bashkëbisedim me gazetarët pas kthimit nga Afganistani, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke iu referuar akuzave dhe kundërakuzave të fundit mes Ramës dhe Priftit. Ai nuk i konsideroi këto si veprime të reja, por si vazhdim i inateve të lindura që kur ndodheshin së bashku në gjirin e PS-së. Sipas Metës, xhelozia dhe fobia e kryetarit të PS-së, Edi Rama, ndaj ministrit Prifti, përveçse të vjetra, tani së bashku me sulmet e fundit të PS në këtë drejtim janë banale dhe denigruese. “Konflikti Rama-Prifti ka ekzistuar që kur kemi qenë të gjithë së bashku në të njëjtën parti, në PS. Aktualisht PS krijon një klimë të pandershme. Ortaku i Priftit është farmaceutik prej 15 vjetësh, - u shpreh Meta. - Përshëndes nismën e PS-së për të hetuar pasurinë e Priftit, - tha më tej ai, duke shtuar se ministri është korrekt me ligjin, ndaj shiti aksionet. Po dje zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri, i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës të bëjë analizat dhe të tregojë nëse është përdorues i drogës apo jo. Gjatë një konference për shtyp në ambientet e ministrisë, Beqiri akuzoi Edi Ramën se shpif ndaj të tjerëve për të mbuluar përgjegjësitë e veta lidhur me deklarimin e pasurisë.
“Dëshiroj edhe njëherë t’i kthej përgjigje politikës së zotit Edi Rama ‘shpif, shpif se diçka do të mbetet’, tashmë e kuptuar nga të gjithë shqiptarët. Shpifjet vazhdojnë edhe sot nga zëri i zotit Rama. Ministri z. Dritan Prifti i ka kërkuar Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të hetojë urgjent pasurinë e tij dhe të informojë publikun në lidhje me të vërtetën. Gjithashtu, i ka kërkuar atij që të bëjë analizat që vërtetojnë nëse ai ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo jo. I kërkojmë sërish zotit Edi Rama që të kryejë këto analiza, në një klinikë të zgjedhur nga vetë ai”, u shpreh Beqiri. Ai i kërkoi kryetarit të bashkisë të vërtetojë se nuk ka përdorur lëndë narkotike. “E pyesim përsëri zotin Rama nëse ai ka përdorur dhe përdor lëndë narkotike. Kësaj pyetjeje nuk mund t’i shmanget për kohë të gjatë. Populli ka të drejtë të dëgjojë. Populli pret një përgjigje. Populli nuk mund t’i besojë një personi që emocionet e veta kërkon t’i kontrollojë duke përdorur lëndë të palejueshme, lëndë narkotike, konkretisht kokainë”, theksoi zv/ministri i Ekonomisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›