Kosova përballë Shqipërisë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), më në fund e ka gjetur kundërshtarin e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Kundërshtari i të përzgjedhurve të selektorit Albert Bunjaku, do të jenë futbollistët më të mirë nga elita e futbollit të Shqipërisë.
Në fakt, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit e Shqipërisë (FSHF), në mbledhjen e mbajtur të premten pasdite, ka aprovuar kërkesën e FFK-së për ta zhvilluar një ndeshje miqësore më 17 shkurt.
“Komiteti Ekzekutiv miratoi ftesën e Federatës Kosovare të Futbollit për zhvillimin e ndeshjes miqësore ndërmjet seleksionimit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar Shqiptar dhe seleksionimit të Kampionatit Kombëtar të Kosovës në datën 17 shkurt 2010, me rastin e përvjetorit të shpalljes se Pavarësisë se Kosovës”, thuhet në ueb-faqen zyrtare të FSHF-së.
Edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar se me 17 shkurt, në kryeqytetin e Kosovës do të zbarkojë ekipi i përbërë prej futbollistëve nga Kampionati Kombëtar i Shqipërisë.
“Fillimisht kemi tentuar ta sjellim ndonjë ekip më me famë, por ato do të kenë angazhime me atë datë për ndeshje të kupave shtetërore. Megjithatë primare për ne ka qenë Shqipëria, dhe e falënderojmë FSHF-në për pranimin e ftesës”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Ai ka bërë të ditur se parat e mbledhura nga kjo ndeshje do t’u dedikohen familjeve të prekura nga përmbytjet në veri të Shqipërisë
“Kjo ndeshje ka karakter të dyfishtë, sepse përveç që festohet përvjetori i Pavarësisë së Kosovës, të gjitha të ardhurat nga kjo ndeshje do t’u dedikohen familjeve të prekura nga përmbytjet në veri të Shqipërisë”, shtoi ai.
Salihu nuk ka përjashtuar mundësinë që përfaqësueses kosovare, përveç futbollistëve nga Superliga e Kosovës, t’i bashkohet edhe ndonjë nga futbollistët kosovarë, që luajnë në ligat e ndryshme evropiane.
Ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kush pritet ta drejtojë skuadrën e seleksionimit nga kampionati shqiptar.