E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova përgatitet për balotazh. KQZ:S'do lejojmë parregullsitë

PRISHTINE- Në prag të mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nuk do të lejojë përsëritjen e parregullsive që kanë ndodhur në rrethin e parë të votimeve.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta tha se përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të 13 dhjetorit, kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe ato premtojnë për një proces të rregullt zgjedhor.

“Ne jemi të përkushtuar dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar komune të jenë të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Lushta.

Janë 21 komuna të Kosovës nga gjithsej 36, në të cilat të dielën qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimeve për të zgjedhur kryetarin e komunës. Balotazhi do të zhvillohet në të gjitha qendrat ku në rrethin e parë të votimeve më 15 nëntor, asnjëri nga kandidatët nuk arriti të marrë më shumë se 50 përqindëshin e votave.

Në garën e së dielës do të jenë nga dy kandidatë që pretendojnë të marrin pushtetin në komunat përkatëse. Nga qendrat e mëdha, balotazhi do të zhvillohet në Prizren, Mitrovicë, Gjilan e Pejë, ku edhe gara është më e fortë.

Partia Demokratike e Kosovës prin për nga numri i kandidatëve që garojnë në zgjedhjet e së dielës, pasuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicioni AKR-LDD. Janë, po ashtu, edhe dy kandidatë nga subjektet politike serbe për komunën e Shtërpcës dhe atë të Novobërdës.

Fushata parazgjedhore ka hyrë në ditët e fundit të saj dhe deri tani ajo ka kaluar pa incidente.
(telegraf/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›