Papandreou: Borxhet rrezikojnë Greqinë
Kryeministri i Greqisë, George Papandreou, ka deklaruar së fundmi se kriza financiare në këtë vend rrezikon sovranmitetin kombëtar dhe se Greqia duhet "ta çrrënjosë borxhin", ose në të kundërt borxhi do ta eliminojë vendin. Kjo deklaratë e kryeministrit u bë pas komenteve shqetësuese nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian. Defiçiti publik i Greqisë pritet të rritet për afro 13% këtë vit. Sipas Komisionerit të BE-së për financat Joaquin Almunia, Greqia ndodhet para sfidave shumë të mëdha ekonomike dhe financiare. Borxhet e Greqisë sipas ekspertëve, janë më shumë se 110 % e prodhimit të brendshëm bruto. Qeveria në Athinë ka siguruar Komisionin e BE-së se po punon për konsolidimin e buxhetit, por sipas ndërkombëtarëve Greqia duhet të reduktojë menjëherë nivelin e kredive, pasi financat publike janë përkeqësuar dhe është rritur shqetësimi për borxhin e këtij vendi. Autoritetet qeveritare kanë theksuar se Greqia do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar emergjencën dhe rikthimin e besueshmërisë në vend. Për këtë situatë të renduar ekonomike në vendin fqinj janë paralajmëruar edhe protesta nga studentët, të cilët shprehen të shqetësuar për masat ekonomike që mund të ndërmarë qeveria Papandreou.