Kosova përkujton sot 4-vjetorin e vdekjes së Rugovës
Rugova, burrë shteti, është vizionar dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës. Nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, në orën 12:00 pritet të mbahet një akademi përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës.
Në orët e paradites, Presidenti Sejdiu do të bëjë homazhe para varrit të Presidentit Rugova, si dhe do të vizitojë familjen Rugova në Velani. Edhe forumet e LDK-së në qendër dhe nëpër degë do të zhvillojnë veprimtari në shënimin e këtij përvjetori, si dhe do të bëjnë homazhe.
Ndërkohë, sipas një njoftimi të AAK-së, një delegacion i nivelit të lartë të kësaj partie do të bëjë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në shenjë nderimi e kujtimi në 4-vjetorin e vdekjes së tij.
"Duke e çmuar lart rolin e tij historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përfaqësues të lartë të AAK-së do të bëjnë homazhe dhe do të vendosin lule te varri i tij, në lagjen Velania, në orën 11:00", thuhet në këtë njoftim.
Edhe kryesia e LDD-së do të bëjë homazhe pranë varrit të Presidentit Rugova. Ndërsa një delegacion i LDD-së do të vizitojë familjen e Presidentit Rugova në Velani.