E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet sot 4-vjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës

PRISHTINë - Me rastin e katërvjetorit të ndarjes nga jeta, Kosova sot përkujton presidentin historik, Ibrahim Rugova. Nën kujdesin e presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, në Prishtinë sot zhvillohet një konferencë kushtuar presidentit Rugova, presidentit të lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Drejtues institucionalë e politikë të Kosovës si dhe shumë qytetarë gjatë ditës do të bëjnë homazhe te varri i presidentit Rugova, të cilat tashmë kanë filluar. Në orët e paradites Presidenti Sejdiu do të bëjë homazhe para varrit të Presidentit Rugova, si dhe do të vizitojë familjen Rugova në Velani. Edhe forumet e LDK së në qendër dhe nëpër degë do të zhvillojnë veprimtari në shënimin e këtij përvjetori, si dhe do të bëjnë homazhe. Sipas njoftimeve paraprake delegacione të AAK-së e të LDD-së do të bëjnë homazhe pranë varrit të Presidentit Rugova dhe do të vizitojë familjen e tij në Velani Në lagjen Velania, ku prehet ish-Presidenti i Kosovës, ndër të parët që sot bëri homazhe ishte shkrimtari, politikani dhe miku personal i Ibrahim Rugovës, Sabri Hamiti. Ai pas homazheve para mediave vlerësoi lart figurën e Ibrahim Rugovës, duke e konsideruar atë "artikuluesi më i madh" dhe "babai i pavarësisë së Kosovës". (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›