Basha “merr” mbështetjen e Holandës për vizat
Mbështetja është deklaruar gjatë takimeve që ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi në Hagë me ministren e Brendshme e Holandës Guusje Ter Horst dhe Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësinë Joris Demmink. Gjatë takimit me homologen Ter Horst, ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministrja Ter Horst vlerësoi maksimalisht rezultatet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrave dhe kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave në të gjitha blloqet përkatëse, si për sigurinë e dokumentave, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit. Ministrja Ter Horst e cilësoi të suksesshme luftën kundër krimit të organizuar si dhe u shpreh se rezultatet tregojnë se Shqipëria është një vend shumë i sigurtë. Ministrja e Brendshme e Hollandës Znj. Guusje Ter Horst pranoi ftesën e Ministrit Basha për të vizituar së shpejti Shqipërinë. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Hollandës Joris Demmink, pas takimit me Ministrin Basha, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumentave të identitetit dhe sigurisë së kufijve. “Kontrolli i kufinjve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përsa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera. Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Demmink, sipas Ministrisë së Brendshme.