Terri në ndeshjen me Real Madridin, 25 të shoqëruar në polici
TIRANE- Një grup hetimor po heton skandalin e ndërprerjes së energjisë për 85 minuta teksa luhej ndeshja Gramozi- Real Madrid në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Policia e kryeqytetit konfirmoi sot se janë shoqëruar 25 persona për tu marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes. Mes të shoqëruarve ishin pjesëtarë të stafit të mirëmbajtjes së stadiumit, por edhe punonjës të OSSH-së.Grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, Ekspertë Kriminalistë dhe Ekspertë të tjerë, i cili po kryen hetimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Një grup i dyti është dërguar sërish sot , për të larguar cdo dyshim që mund të kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm. Policia ka sekuestruar të gjitha informacionet përkatëse të korrespondencës mbi organizimin e kësaj ndeshjeje. Pista kryesore e hetimit është ajo e ndërprerjes së energjisë për shkak të një defekti në transformator i ardhur nga mbingarkesa. Vendimi i parë që u mor, menjëherë pas skandalit ishte ai i shkarkimit të drejtorit të stadiumit "Qemal Stafa", Perikli Dhales. Ky i fundit ishte përgjegjësi direkt për atë çfarë ndodhi, duke qenë se mungonte gjeneratori rezervë, i domosdoshëm në rastet kur një ndeshje luhej natën. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se Dhales u pa mbrëmë teksa mundohej të sqaronte drejtorin e sporteve në MTKRS Vasil Bici, megjithatë imazhi i Shqipërisë në ato momente e kishte pësuar goditjen. Presidenti i Realit Florentino Perez, për çudi ka qenë më i qeti në këtë histori. "Nuk ka asnjë problem, gjëra që ndodhin", ka përsëritur mbrëmë ai. Për të nuk ishte hera e parë, pasi Realit i ka ndodhur kjo në vitin 2003, në një ndeshje me Real Sociedad që u ndërpre dhe u riluajt.Ikja e energjisë ndodhi atërherë kur nga tribuna ndeshja po ndiqej nga ministri i Sporteve Ferdinand Xhaferri dhe ministri i Energjetikes Dritan Prifti dhe ndeshja transmetohej live në Shqipëri dhe Spanjë. Ndeshja rifilloi 85 minuta më vonë pasi erdhi një gjenerator tjetër i marrë nga institucione të tjera.Ministri i Sporteve Ferdinand Xhaferri hodhi mbrëmë tezën se ikja e dritave në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" mund të jetë bërë me qëllim. Ai pranoi se nuk ka fakte për momentin, por sipas tij, edhe kjo pistë duhet të hetohet. "Nuk kam fakte, por ka shumë arsye përse mund të jetë bërë kjo. Përveç defektit, mund të ketë pasur sabotim apo një heqje e dritave me qëllim" deklaroi mbrëmë Xhaferri. Edhe Partia Socialiste reagoi mbrëmë ndaj ngjarjes duke fajësuar qeverinë e kryeministrit Berisha për këtë ngjarje e cila e bërë Shqipërinë “gazi i botës”“Ky njeri që e ka emrin Sali Berisha, jo vetëm që nuk di të nxjerrë qimen nga qulli në çështjet e qeverisjes dhe punëve të shtetit, por paska patur qimen e derrit, duke sjellë fatkeqësi dhe tersllëqe. Sot edhe pse në një ditë festive siç duhet të ishte ndeshja me Real Madridin, na bëri gazin e botës me mungesën e energjisë. Në vend që të menaxhojë dhe ulë kuotat e hidrocentraleve, Sali Berisha sot uli edhe një herë tjetër kuotat e shqiptarëve.”- deklaroi mbrëmë Eduard Shalsi. Real Madridi mundi 2- 1 Gramozin duke fituar edicionin e tretë të trofeut Taci Oil. Kaka e Benzema shënuan për spanjollët, ndërsa për Gramozin shënoi Daniel Xhafa.(s.g/BalkanWeb)