Qeveria vendim: Mandati i kreut të SHISH, 5-vjet
Kryeministri Sali Berisha, u shpreh se me këtë vendim "synojnë të përshtasin objektivat e punës së SHISH-it me kërkesat e mëdha që shtrohen para vendit pas anëtarësimit në NATO, por edhe në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Duke informuar mbi shtesat dhe ndryshimet në ligj, Kryeministri Berisha u shpreh se "qartësohet më mirë detyra e SHISH për të ndihmuar agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar". Gjithashtu sipas tij "shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personit publik, ku SHISH ka dhënë dhe jep një kontribut të rëndësishëm, por natyrisht nuk ka qenë objektiv direkt i punës së tij". "Në ligj shtohet çertifikimi i personave, por do të jetë e drejtë e çdo qytetari të kundërshtojë me gjykatë nëse gjykon se nuk është objektiv çertifikimi i bërë", tha Kryeministri. Ai theksoi se "nuk ka ndryshuar mënyra e emërimit të Drejtorit dhe zv. Drejtorit të SHISH dhe do të ruhet procedura aktuale ligjore e emërimit, pra të propozohet nga Kryeministri dhe të emërohet nga Presidenti i Republikës".