Rekrutët, rrezik sëmundjesh në Bunavi
Fatos Mahmutaj
Ushtarë të sëmurë kanë mbushur repartin e Bunavisë pa asnjë kontroll mjekësor. Alarmi vjen nga Avokati i Popullit, institucion i cili ka inspektuar pak ditë më parë brigadën e vetme të stërvitjes bazë të rekrutëve në vend. Menjëherë pas inspektimit, materiali i mbledhur është analizuar dhe në bazë të tij, Dobjani i është drejtuar për dijeni Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, ndërsa në formë rekomandimi Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Me anë të rekomandimit është kërkuar korrigjimi i menjëhershëm i praktikave të gabuara të mobilizimit të detyrueshëm ushtarak. Duke iu referuar shifrave, sipas komisionerëve që kanë inspektuar repartin ka rezultuar se: “Në Bunavi janë mobilizuar, 757 ushtarë të rinj, 60 për qind e tyre ishin mobilizuar forcërisht. Sipas inspektimit, 97 prej tyre janë konstatuar me probleme shëndetësore pa u ekzaminuar para hyrjes në repart. Asnjë prej tyre nuk është inspektuar nga një trup mjekësor nga Spitali Ushtarak, ndërsa prania e rekrutëve me probleme përbën rrezik në rastet e sëmundjeve ngjitëse”.
Problemet
“Dikush mund të ketë probleme serioze me shëndetin apo sëmundje ngjitëse, duke u bërë kështu rrezik për përhapjen e sëmundjeve brenda një kapanoni me shumë ushtarë”, thuhet në rekomandimin që Avokati i Popullit u ka dërguar krerëve të shtetit dhe atyre të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë më tej Dobjani pohon se qendrat e mobilizimit ushtarak, vijojnë të kryejnë shkelje të rënda pasi dërgojnë shtetas të mobilizuar me forcë në brigadën e stërvitjes bazë në Bunavi, Vlorë, pa i kontrolluar më parë për gjendjen e tyre shëndetësore në komisionet mjekësore të qendrave të rekrutimit. Ndërkohë janë vërejtur edhe raste kur janë mobilizuar forcërisht individë që e kanë kryer edhe më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, si dhe studentë, apo persona që kanë shfaqur dëshirën për të paguar.
Dobjani
I kontaktuar dje më telefon, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani e pohoi inspektimin dhe rekomandimin që u ishte dërguar për dijeni krerëve të shtetit dhe atyre të Ministrisë së Mbrojtjes. Dobjani pohoi se ky inspektim, rezultatet e tij, dhe rekomandimet nuk ishin bërë publike pasi informacioni është konsideruar sekret. Por edhe pas kësaj, asnjë prej institucioneve që ka marrë rekomandimin nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare Avokatit të Popullit. Dobjani pohoi se gjatë kontakteve verbale që kishte pasur me krerë të institucioneve të ushtrisë shqiptare kishte marrë përgjigjen se në bazë të rekomandimit po merreshin masa për të përmirësuar situatën, por sipas tij asgjë nuk ishte zyrtare. Ndërkohë burime të tjera nga institucioni i Avokatit të Popullit pohuan se për shkak të fazës në të cilën ndodhet tashmë ushtria shqiptare, një informacion i tillë mund të ulë imazhin e saj, ndaj ishte zgjedhur rruga e mospublikimit të rekomandimeve të nxjerra pas inspektimit.