Mori rekrutët pa kontroll, ndjekje Penale kreut e Qendrës së Stërvitjes
TIRANE - Avokati i Popullit pritet t’i kërkojë prokurorisë nisjen e hetimeve kryesisht për kreun e bazës ushtarake të Bunavisë, i cili nuk ka zbatuar disa detyrime mbi rekrutimin. Lajmi pohohet nga burime jo zyrtare të institucionit të Avokatit të Popullit, sipas të cilëve shkak për kërkesën në prokurori është bërë gjendja e konstatuar pas inspektimit të bërë në këtë repart pak ditë më parë. “Ky është një problem shumë i madh, sepse çdo ditë vijnë ankesa nga prindër dhe nga vetë ushtarët e rinj. Në çdo tre muaj ka mobilizime të tilla të pakontrolluara”, pohojnë burime të Avokatit të Popullit. Sipas tyre, në këtë institucion paraqiten ankesa të shumta të cilat analizohen dhe në bazë të tyre u vendos që të kryhej inspektimi i pak ditëve më parë. Sipas burimeve nga Avokati i Popullit, inspektimi i pak ditëve më parë, është rasti i dytë ku janë konstatuar probleme serioze me mënyrën e rekrutimit të ushtarëve të rinj. Edhe më parë ushtria jonë ka pasur probleme të tilla. Tashmë që ushtria jonë ka hyrë në NATO, mobilizimet e rekrutëve vazhdojnë të jenë të njëjta me ato të viteve të fundit, ku pjesa më e madhe e ushtarëve janë dërguar forcërisht në repart. Pritet që edhe për pak kohë të vazhdojë e njëjta situatë. Ndërsa një nga kushtet që kërkon NATO për ushtrinë shqiptare është mobilizimi kundrejt pagesës, duke larguar në këtë mënyrë ushtarët vullnetarë apo ata që mobilizohen forcërisht. fa.ma.