“Identikit 3” në gjyq, për 15 kg heroinë
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi dje në gjykatë, dosjen penale në ngarkim të dy personave të akuzuar për trafikimin e 15 kileve heroinë nga Shqipëria në Itali. Bledar Qemalaj, i shpallur në kërkim, dhe Arben Duraj i arrestuar pak kohë më parë në Tiranë, të dy nga Fieri, akuzohen se kanë kryer veprën penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në linjën Turqi-Shqipëri-Itali. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, hetimet për rrjetin e trafikut të heroinës, filluan njëkohësisht në Shqipëri dhe Itali, pesë vite më parë më 2004. Procesi hetimor e ka zanafillën në ngjarjen e ndodhur më 26 gusht 2004, në Breshia të Italisë. Sipas hetimeve, në këtë kohë, policia italiane ushtroi një kontroll në automjetin “Reanult 19” me targa gjermane H–CD 1682. Ndërhyrja e policisë italiane është bërë në momentin e takimit mes shtetasve Elvis Spahaj dhe Gëzim Baal, ndërsa ky i fundit po qëndronte pranë veturës që u verifikua nga policia. “Gjatë kontrollit në makinën e të dyshuarit Gëzim Baal, në orën 15:30, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 pako të dyshuara si lëndë narkotike, me peshë totale 15 kg”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, menjëherë pas sekuestrimit të drogës, policia ka arrestuar në flagrancë korrierin e lëndës narkotike Gëzim Baal dhe shtetasin Elvis Spahaj, i cili ishte takuar me të arrestuarin. Dy të arrestuarit, sipas Prokurorisë kishin bashkëpunuar në trafikimin e drogës me të pandehurit e dosjes së dorëzuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, Bledar Qemalaj dhe Arben Duraj. Prokuroria thekson se nga akti i ekspertimit kimik për lëndën e sekuestruar në makinën e shqiptarit në Itali, ka rezultuar se bëhej fjalë për heroinë. Zbulimi i drogës në automjet është bërë mbi bazën e përgjimeve telefonike të realizuara nga policia italiane. Gjatë qëndrimit në Itali, madje edhe gjatë bisedave në telefon me trafikantët, sipas Prokurorisë, i pandehuri Bledar Qemalaj, përdorte emrin fals Nazim Mema, për të humbur gjurmët nga ndjekja policore. Edhe i akuzuari tjetër i dosjes “Identikit 3”, Arben Duraj, përmendej në përgjimet e policisë italiane me emrin “Beni”. “Të pandehurit Bledar Qemalaj dhe Arben Duraj akuzohen për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve” kryer në bashkëpunim, pasi në datat 25-26 gusht 2004 në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar në Itali, Gëzim Baal dhe Elvis Spahaj, kanë trafikuar 15 kg lëndë narkotike të llojit heroinë, sasi e eksportuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë”, thanë më tej burimet nga hetimi. tr.so