E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vlerëson Glover: Raporti pozitiv

Kryeministri Sali Berisha komentoi dje raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit. "Në fillim të këtij raporti theksohet se zgjedhjet shënuan progres", theksoi Berisha në fillim të konferencës së posaçme për t‘iu referuar këtij raporti.

Berisha theksoi se në raport citohet se numërimi u bë i rregullt dhe nuk ka prova për manipulime. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë e cilësoi raportin e ODIHR-it të krahasueshëm me raportet për vendet e tjera në rajon dhe Evropë. Lidhur me problemet e këtyre zgjedhjeve, kreu i ekzekutivit premtoi se problemet do të konsiderohen një për një në programin e qeverisë. "Shqipëria nuk është më ‘delja e zezë‘ e Ballkanit për zgjedhje të lira", tha Berisha, duke garantuar institucionet ndërkombëtare se qeveria e tij do të marrë me përgjegjësinë më të madhe të gjitha vërejtjet e bëra në raport. Nga ana tjetër, Kryeministri i bëri thirrje kreut të PS-së, Edi Ramës, ta lexojë këtë raport. "Unë kisha bindjen se ky ka qenë numërimi më i shkëlqyer në historinë e këtij vendi", tha ai. Kryeministri theksoi se "unë nuk mund të zgjedh kundërshtarin tim. Unë shikoj problemet që i përkasin PD-së për t‘i zgjidhur". Duke i bërë thirrje kreut të PS-së të lexojë me vëmendje raportin, Berisha shtoi se "sikur Rama të kishte paraqitur qoftë edhe provën më të vogël për parregullsi në numërim, unë absolutisht do t‘i qëndroja. Rama mori videot e Beratit, edhe ne i morëm se dyshonim se na janë plaçkitur votat". "Ajo që doli është se çdo votë ishte numëruar me korrektesë, edhe akuzat që Erioni i bën Erionit ishin tërësisht të pabaza", tha Berisha, duke komentuar qëndrimin e opozitës se votat janë vjedhur. "Shpresoj ta bind zotin Rama se vendi i partisë së tij është në Parlament. Ka 6 javë që merret me të burgosurit që janë lejuar të votojnë pranë familjes së tyre. Mbi 200 të burgosur janë firmosur të shkojnë në shtëpitë e tyre me firmën e kreut të Lushnjës së PS-së", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›