E Diel, 1 Nëntor 2026

Numërimi i votave, i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 VNV

Dita e zgjedhjeve konsiderohet e qetë dhe paqësore. Vëzhguesit vlerësuan pozitivisht votimin në 92 për qind të qendrave të votimit të vizituara, por vunë në dukje një numër të shkeljeve procedurale. Në listën e problemeve konstatohet votimi familjar, nënshkrime identike në listën e zgjedhësve apo tentativë për të influencuar votuesit. Procesi i numërimit të votave është konsideruar nga vëzhguesit i keq ose shumë i keq në 22 prej 66 vendeve të numërimit të votave. Në 12 prej tyre shumicën e kishin partitë e opozitës, ndërsa në 10 të tjera në shumicë ishte koalicioni qeverisës. Niveli i transparencës në procesin e numërimit është evidentuar në 11 vende numërimi. Vëzhguesit politikë dhe jo politikë u penguan të kryejnë misionin në VNV-të numër 17 dhe 18. Vëzhguesit thonë se në 14% të vendeve të numërimit të votave u vu re respektim i dobët i procedurës së numërimit. Kompletimi i tabelave të rezultateve shikohet si një problem tek 94% e vendeve të numërimit të votave. Në pjesën dërrmuese të VNV-ve është vënë re prezenca e personave të paautorizuar.

Vëzhguesit vunë re një mungesë procedurale që vjen për shkak të trajnimit të pamjaftueshëm të komisionerëve. ODIHR-i thotë se sistemi i monitorimit me kamera e arriti pjesërisht qëllimin, pasi shpesh nuk ishte e mundur për të parë se cila parti ishte zgjedhur në fletën e votimit dhe ku vendosej kjo fletë. "Teksa numërimi vazhdonte, partitë filluan të ndërhynin më aktivisht, veçanërisht kur rezultatet ishin mbyllur ose ishin drejt fundit", thotë raporti. Si pasojë e kësaj situate, thuhet se procesi mbeti pezull në disa KZAZ, ku pati probleme me kontrollimin e procesit. "Në disa prej tyre kutitë e votimit nuk u numëruan, ose rezultatet nuk u përfshinë në tabelën përfundimtare të rezultatit nga KZAZ-ja. KQZ-ja shpesh nuk ndërhyri me vendosmëri kur u vunë në dukje raste të tilla të bllokimit", thekson raporti. Me gjithë disa ngjashmëri me zgjedhjet e kaluara, thotë raporti, ka pasur një përparim të dukshëm në administrimin e procesit nga KQZ-ja, kryesisht në shpërndarjen e materialeve zgjedhore, marrjen e të dhënave nga komisionet e niveleve të dyta e të treta drejt Komisionit Qendror Zgjedhor apo edhe shpallja e rezultateve paraprake. "Nuk ka asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve, apo parregullsive të mëdha në qendrat e numërimit të votave, përveç bllokimit të procesit në disa prej tyre", thuhet në raport. Shqyrtimi i ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor shikohet si profesional.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›