E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i socialistëve Rama, vizitë në Bruksel

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndodhet në një vizitë në Bruksel. Burimet nga selia rozë konfirmuan dje se ai ndodhet jashtë vendit, por nuk specifikuan nëse vizita ishte zyrtare apo private. Po sipas burimeve, "Shqip" mësoi se bashkë me Ramën drejt Brukselit ka udhëtuar edhe kreu i Lëvizjes G99, Erion Veliaj. Zyrtarisht Partia Socialiste, por as G99 nuk kanë komunikuar me median për ndonjë takim të mundshëm të dy kryetarëve me personalitete të huaja të akredituara në Bruksel. Dje, pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit pati reagime sporadike të përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se raporti i ndërkombëtarëve faktoi se sërish Shqipëria nuk arriti të bëjë zgjedhje të lira dhe konform standardeve ndërkombëtare. Sipas Braçes, përgjegjësi kryesor për këtë që ka ndodhur është Kryeministri në detyrë, Sali Berisha. Në analizën e tij për procesin zgjedhor dhe raportin e ODIHR-it, Braçe tha se u vërtetuan disa prej pretendimeve që ka ngritur opozita për parregullsitë dhe manipulimet në procesin zgjedhor. Në këndvështrimin e Braçes është e papranueshme që një vend i NATO-s ende nuk arrin të kryejë zgjedhje konform standardeve të njohura ndërkombëtare. Në të njëjtën linjë me Braçen ishte në deklarimet e mbrëmshme edhe deputeti tjetër socialist, Taulant Balla. I ftuar në një emision televiziv, ai tha se "raporti ka treguar qartë se standardet e zgjedhjeve nuk kanë qenë të larta". Ne, tha Balla, jemi i vetmi vend që nuk bëjmë zgjedhje me standarde dhe emri i problemit është Sali Berisha. "PS-ja do të bëjë gjithçka që ta zbardhë këtë maskaradë zgjedhore", u shpreh Balla. Ai shtoi se kjo parti do të përdorë çdo mekanizëm për ta larguar Berishën, duke shtuar se do të përdorë edhe protestat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›