E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, rreziku i shndërrimit në palo-shtet

Të gjithë kishin menduar se pavarësia e Kosovës ishte qëllimi i vetëm, ndërsa politika kosovare nuk e kishte menduar edhe këtë se në këtë qëllim nuk ka mundësi të mesme, ata i kishin pranuar disa mundësi të mesme disa stoli të panevojshme, edhe disa fraza të fryra dhe emfatike mirëpo thelbi i çështjes së bazuar në qëllimin e së ardhmes së shtetit të Kosovës kishte mbetur vetëm “formulë e goditur” por jo në cak. Megjithatë historia tregon qartë se sot kombet e mëdha kanë marrë për vete atë që u takonte popujve të vegjël, kështu realiteti sot tregon këtë të vërtetë se kombi shqiptar si një “komb i madh” dhe me një histori të lashtë ka mbetur një “popull i vogël” nën hijen e kombeve të mëdha moderne që lulëzojnë sot në shekullin XXI. Kjo gjë ka ndodhur për shkak të atij “arti të shtirjes e të fshehjes” që përqafuan politikanët dhe diplomatët e pavendosur shqiptar dhe ndërkombëtar, të cilët u trembeshin rreziqeve, kjo edhe zaten e shpiu kombin shqiptar drejt rrënimit dhe ndarjes së tij në copa. Prandaj duhet gjithmonë të kenë të qartë politikanët tanë, se ata duhet ta kenë vetëm një qëllim, si ta ruajë shtetin e tyre, ndërsa çdo mjetë i përdorur për këtë qëllim konsiderohet i ndershëm, i lavdishëm, i respektueshme si dhe mbrojtës i identitetit e sovranitetit të tij shtetëror. Por gjithashtu ata duhet ta dinë se pushteti që kanë në dorë është një “besim që iu është dhënë”atyre për të mirën e popullit të Kosovës, prandaj ata duhet ta din se po ashtu populli i Kosovës ruan gjithmonë një “sovranitet potencial”, një “sovranitet në rezervë” që në rast të keqpërdorimit të besimit të dhënë ata e shfrytëzojnë këtë hapësirë veprimi në çdo rrethanë. Meqë nuk ka ndodhur më herët kjo gjë tani mund e duhet të ndodhë që politikanët kosovar duhet që të qartësojnë pikë së pari qëllimin kryesor që synojnë të arrijnë dhe vetëm pastaj duhet të kërkojnë mjetet për ta arritur atë, mirëpo duhet ditur një gjë nëse ky qëllim është i pabazuar atëherë gjithçka që do të ngrihej mbi të do të rrënohej shpejtë sepse qëllimi i Kosovës nuk është vetëm pavarësia e tij por edhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të tij, pastaj rruga e integrimit në familjen Evropiane etj. etj., përndryshe siç po shohim tani në këtë periudhë duket se politikanët tanë nuk kanë capitur përpara as sa një insekt se lëre më hapin e breshkës së ngadalshme.
Ndërsa sot pas ardhjes së shumë zërave dhe sinjale për ndarje të Kosovës sidomos pas miratimit të planit gjashtë pikësh në KS të OKB-së, Pavarësia e Kosovës po merr një fytyrë të re sikur duket u bë më e shëmtuar më e çmendur, plotë arsyetime, thjeshtë u bë egërsirë makiavelike. Nuk duhet lejuar lojëra të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës, nuk duhet lejuar që shteti i Kosovës të bëhet paçavur, as nuk duhet lejuar që Kosova të bëhet një shtet i shfytyruar, një shtet i rremë, as një shtet leviatan, por as edhe një vatër përçarjesh, as i torturuar, por duhet të jetë në duar të sigurta dhe të përcaktohet qartë ardhmëria e tij e palëkundshme. Duhet ditur politikanët kosovar dhe bashkësia ndërkombëtare se integriteti dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës është si një “bllok mermeri” i cili nuk mund të copëtohet dot dhe në asnjë mënyrë e në asnjë rast. Në shtetin e Kosovës duhet të rrahë fortë çekani i të gjitha ligjeve të kushtetutës së Kosovës, duhet cekur se ishte një gabim i dytë i politikanëve kosovar se atëherë kur u shpall pavarësia e Kosovës, pjesët e tjera me shumicë shqiptare festonin ndërsa serbët e Mitrovicës protestonin, zotimet qeveritare ishin se do shtrihej ligji dhe do administrohej Kosova edhe në Mitrovicën e veriut, kjo ishte vetëm një frazë e thatë e pa asnjë vlerë, sepse pikërisht atë ditë kur pavarësia e Kosovës u shpall Qeveria e Kosovës është dashur ta shtrij administrimin e saj në tërë territorin e saj edhe në Mitrovicën e veriut dhe askush nuk do mund të bënte fare as edhe një hap drejt një lufte të re siç po flitej andej pari. Por ajo lejoj që këto “copa të shtetit ” të forcojnë pozicionin dhe të largohen edhe më shumë nga qendra, prandaj shteti i Kosovës sot ka ardhur në atë pikë të pikëpyetjeve të mëdha historike. Kështu që duhet dëbuar nga shteti i Kosovës jo vetëm vesin por edhe mundësin e shfaqjes së tij, pastaj duhet dëbuar nga Kosova edhe plane që qojnë në një ndarje të thellë, në një ndarje të pandreqshme, duhet dëbuar gjithashtu edhe mundësinë e krijimit të një shteti brenda shtetit të Kosovës, sepse këto gjëra mund ta zhveshin shtetin e Kosovës dhe kur zhvishet shteti atëherë nuk je gjë tjetër veçse një hiç.
Ka ardhur koha që politikanët kosovar të zgjohen nga gjumi i thellë, t’ia mbyllin gojën këtyre dërdëllitjeve të pakuptimta, ka ardhur koha që ti presin “kabllot e minave të nëndheshme” njëherë e mirë dhe të mos lejojnë që të luhet me ndjenjat e tij dhe të popullit të Kosovës, i cili për çdo ditë duket se i dhemb diku, cili ende ngurron, sepse mendon më gjatë që të mos e shemb atë ndërtesë të ndërtuar nga përpjekjet e historisë së dhimbshme të saj dhe sakrificës së madhe. Ndërkaq gjemba që vështirësoj gjithçka dhe që e kthej çështjen e ardhmërisë së shtetit të Kosovës në një pikë të nxehtë të lojërave të mëdha me historinë ishte ai i gjashtë pikëshit të OKB, respektivisht sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun. Kjo ndodhi se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk ishte përcaktuar qartë nga të gjithë aktorët relevant ndërkombëtare, ajo u njoh vetëm nga shtetet që kishin mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe më herët, por jo edhe nga ato shtete që ishin përjetësisht të lidhura me kohën e vjetër siç ishte ish-Bashkimi Sovjetik, Serbia, Greqia etj.
Ndërsa plani i emisarit Ahtisaari ishte një plan që nuk u mbështet nga të gjitha vendet, ishte plan që nuk gjeti mirëkuptimin dhe mbështetjen në KS të OKB-së, tani ky plan zbatohet në Kosovë por jo në plotëni sepse, ka edhe arsye që nuk mund të hyn në rend dite dhe në zbatim. Kështu që rrugëtimin e Kosovës tani po tenton ta ndryshoj OKB nën presionin e vazhdueshëm të Rusisë dhe Serbisë. Prandaj edhe miratimi i planit gjashtë pikësh në KS të OKB –së është një sinjal që e çon Kosovën në drejtim të panjohur apo më mirë një rrugë të gjatë të demokracisë dhe integrimit të saj si brenda ashtu edhe rrugës së integrimit europian. Kundërvënia e politikës kosovare rreth këtij plani gjashtë pikësh të OKB, ishte më tepër ulëritëse se sa një realitet i mbajtjes, mbrojtjes dhe fuqizimit të pozicionit të saj të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës. Lumi vërshues e i furishëm i këtyre shigjetave diplomatike të politikës ruse dhe asaj serbe nuk e ndali katër pikëshi ulëritës i politikanëve të çarmatosur të shtetit të Kosovës, ky lum i turbullt tani po vije me shpejtësi në tryezën e politikanëve të çarmatosur të Kosovës dhe ky lum i turbullt e i furishëm që vërshon e përmbyt gjithçka kur s’gjen pengesë që ta ndalë, por është e ditur se katër pikëshi ulëritës nuk mund ta ndalë, atë e ndal “armatimi intelektual e profesional” i politikës dhe diplomacisë së shtetit të Kosovës. Prandaj krejt në fund le të mos i qahemi fatit tonë në këto sfida të rënda që po dalin në këtë rrugëtim të gjatë, por të shohim se ç’burracakë që janë politikanët tanë të cilët nuk din ta rrotullojnë fatin e tyre dhe ta gjejnë spirancën e shpëtimit të kësaj të lige që po i vjen shtetit të Kosovës. . . C’ mizë e pickoi shtetin e Kosovës, miza me emrin Ban Ki Mun. . . !

Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›