E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova se sheh të nevojshme shpalljen e epidemisë

Derisa vende fqinje, si Serbia, e kanë shpallur gripin e derrave epidemi, autoritetet shëndetësore të Kosovës thonë se kjo nuk është e nevojshme, pasi që A/ H1N1 tashmë është shpallur pandemi në nivel global. Ndërkohë, dy raste të reja me virus janë regjistruar dje. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Pandemia e tejkalon nivelin e epidemisë dhe në momentin kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur çështjen e Gripit A H1N1 pandemi, kjo nënkupton të gjitha vendet e botës, ka thënë zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mybera Mustafa.

Grupi punues për menaxhimin e Pandemisë së Gripit A H1N1, i themeluar të hënën në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe që kryesohet nga zëvendësministrja Mustafa, ka mbajtur sot një takim pune, në kuadër të zbatimit të masave mbrojtëse kundër gripit të ri.

Mustafa tha se çështja e Gripit A H1N1 tashmë është shpallur pandemi në nivel global dhe Kosova po i zbaton me përpikëri të gjitha masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Jusuf Dedushaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kryetar i Komitetit nacional për sëmundje infektive, tha se situata epidemiologjike në Kosovë paraqitet e qetë, megjithëse në 24 orët e fundit, janë evidentuar 3 raste të dyshimta.

Dy prej këtyre rasteve kanë rezultuar pozitive në AH1N1.

Dedushaj tha se Kosova është territor unik dhe pavarësisht se autoritetet serbe nuk po i raportojnë rastet në zonat e banuara nga komuniteti i tyre, IKSHP është i gatshëm tu ofrojë ndihmë për analizë të mostrave të rasteve të dyshuara. Por ai pret që serbët ta kërkojnë më vonë ndihmën, pasi sëmundja nuk njeh ngjyra, nacionalitete e as kombe.

Edhe zv.ministrja Mustafa theksoi se çështja e gripit nuk duhet të politizohet në asnjë rrethanë në Kosovë dhe se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë ndihmën e duhur për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim.

Në takim u theksua se shumica e të prekurve pritet ta kalojnë Gripin A H1N1 lehtë, dhe me tretman ambulator e shtëpiak, derisa në klinikë do të shtrihen vetëm rastet më të rënda.

Të dhënat zyrtarë të IKSHP-së, thonë se që prej 15 korrikut 2009, në Kosovë janë regjistruar 21 raste të dyshuara, prej të cilave A H1N1 pozitive janë konfirmuar 10, kurse negative 11.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›