E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër; Ekzekuton me kallashnikov 46-vjeçarin, në pranga i riu



Një konflikt i çastit i ka marrë jetën një 46-vjeçari, i cili është vrarë me kallashnikov nga një i ri. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:45, në lagjen “Skënderbeg” të qytetit. Sipas burimeve nga policia, viktima është Bashkim Bajri, ndërsa autori i krimit, 21-vjeçari Nilson Sokoli, i cili është kapur 40 minuta më vonë në tentativë për t’u arratisur. Nga veprimet procedurale e hetimore të kryera nga grupi hetimor, sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes viktimës dhe autorit Sokoli, i cili e ka qëlluar me armë 46-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima u dërgua në Spitalin Ushtarak, por si pasojë e plagëve të marra, nuk arriti të mbijetonte. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore dhe grupi hetimor, të cilët pas veprimeve të para procedurale e hetimore të kryera, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit te ngjarjes. Pas identifikimit të autorit të vrasjes, u organizua operacioni për kapjen e tij. I riu u ndalua rreth 40 minuta më vonë, teksa po tentonte të largohej, në vendin e quajtur kodrat e Bardhajve, Shkodër. Pranë banesës së autorit u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, me të cilën ky shtetas ka kryer krimin. I riu u shoqërua në qelitë e paraburgimit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›