Ministri Basha paralajmëron reformë në Policinë e Shtetit
Parandalimi dhe goditja e krimit në vend kanë qenë kërkesat e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar me drejtuesit e policive në qarqe të ndryshme të vendit. Por, ndërkohë që ka parashtruar kërkesat e tij për një mirëfunksionim të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tij në qarqe, numri një i dikasterit blu ka paralajmëruar se do të ketë një reformim në këtë institucion në ditët në vazhdim. “Për të pasur një efektivitet sa më të mirë në Policinë e Shtetit, do të ketë një reformë në këtë institucion, me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar”, - është shprehur z. Basha. Ministri i Brendshëm theksoi se duhet të arrihen parametrat e vendeve të Bashkimit Evropian nga Policia e Shtetit në luftë kundër të gjitha veprimtarive kriminale. Gjithashtu, realizimi i detyrave të përcaktuara për Policinë e Shtetit në progres-raportin për Shqipërinë, përbëjnë edhe detyrimet kryesore për përfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. “Barra kryesore për liberalizimin e vizave bie mbi Policinë e Shtetit. Suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e detyrimeve është përcaktuesi kryesor në premtimin më të madh të kësaj mazhorance, heqjen e vizave brenda vitit që vjen”, - u shpreh z. Basha.
Detyrat
Duke kërkuar në mënyrë të veçantë përmirësimin e rezultateve të punës në qarqe, ministri Basha parashtroi në takim disa detyra të rëndësishme për zbatim nga të gjithë drejtuesit e strukturave policore. Konkretisht detyrat e përcaktuara janë intensifikimi i betejës kundër krimit të organizuar, përdorimi i teknikave speciale dhe provave shkencore të hetimit e identifikimi dhe goditja e kultivuesve të bimëve narkotike. Sipas tij, vëmendje kryesore duhet të ketë edhe në luftën me tolerancë zero kundër prostitucionit, hetimit dhe zbulimit të ngjarjeve të vjetra dhe ato të mbetura pa autor, forcimi i luftës kundër vjedhjeve dhe veprimtarive të tjera kriminale, si dhe mbajtja nën kontroll e kontingjentit kriminal. Ministri Basha e cilësoi të patolerueshëm faktin se akte të shumta kriminale mbeten të pazbuluara, ndaj kërkoi që të ushtrohet kontroll i njëtrajtshëm në këtë drejtim në të gjitha qarqet e vendit dhe në çdo cep të territorit. “Elementët kriminalë duhet të ndjejnë kudo presionin, forcën dhe goditjen e Policisë së Shtetit”, - tha ai gjatë takimit. Një temë me rëndësi për ministrin e Brendshëm ishin edhe problemet në qarkullimin rrugor, duke e konsideruar situatën e tanishme në këtë drejtim si të frikshme dhe kaotike, me shkelje të shumta që për më tepër edhe tolerohen nga punonjësit e policisë. Tolerimet e bëra ndaj individëve të veçantë në këtë drejtim, ministri Basha i cilësoi të papranueshme dhe kërkoi që subjektivizmi të shkojë drejt zeros. Numri një i Ministrisë së Brendshme deklaroi se po përgatitet një masterplan masash me përbërësit e duhur teknologjikë, për të zbuluar të gjitha shkeljet e mundshme, si dhe paralajmëroi ndryshime të nevojshme në legjislacion.