Kosova, sërish në një moment të vështirë historik
“JO”-në kundër EULEX 2, Kryeministri kosovar, duhet ta çojë deri në fund. Z. Thaçi, do ta keni në mbështetje mbarë popullin, ashtu si në kohë lufte. Mos u frikëso, as mos u tkurr nga manipuluesit e së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës, në këtë rast vendimtar për Kosovën.
Janë të egër, sadistë dhe iracionalë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të pavarësisë së Kosovës. Vetëm mos lësho pe, për asnjë milimetër, kundër çfarëdo, qoftë “euleksesh” të Serbisë!
Kosova është e Shqipërisë, jo e Serbisë! Ndaj, në asnjë formë, qoftë mortale, ligjore dhe demokratike, nuk jemi të detyruar të tregohemi të “dëgjueshëm” as ndaj BE-së, as ndaj OKB-së, të dështuar në Kosovë (1999-2008).
Z. Thaçi, gjithashtu, pa marrë parasysh shkallën e trysnisë dhe të shantazheve të nëndheshme, nuk keni asnjë arsye që të jepni dorëheqje nga posti i Kryeministrit të qeverisë së Kosovës. Dorëheqjen tuaj do ta prisnin me gëzim euforik të papërmbajtur vetëm faktorët anti-Kosovë.
Dorëheqje të parevokueshme duhet të japin vetëm ata fatkeqë filoserbë, që në çfarëdo forme ëndrrojnë pranimin e atye “6 pikave” të përmbajtjes së EULEX 2, serbomash të “bekuar” nga z. Ban Ki Mun dhe nga BE-ja.
Nëse nuk përfillet “JO”-ja zyrtare e Qeverisë së Kosovës lidhur me refuzimin e prerë të “6 pikave” të EULEX 2 të Serbisë së Madhe, atëherë, alternativë tjetër ligjore, paqësore dhe demokratike, nuk mund të ketë, veç shpalljes së REFERENDUMIT me procedurë urgjente nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Organizimi me procedurë të shpejtë i referendumit, do të ishte forma më racionale dhe më konsistente institucionale demokratike dhe ligjore në hedhjen poshtë të të gjitha intrigave politiko-diplomatike, kërcënimeve, shantazheve, diktatit, ultimatumit, trysnisë së pashembullt të karakterizuar madje me afat të “vijës së kuqe” nga ana e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) dhe, personalisht nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.