E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, sfiduesit e pavarësisë

Për 16 muaj me radhë, Rusia dhe Perëndimi janë ndeshur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të statusit të Kosovës, por koncesioni i së premtes i bërë nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, duket se ka lënë mënjanë kundërshtimet e Rusisë dhe ka hapur rrugën për t'i dhënë fund misionit nëntëvjeçar të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në nëntë vitet e fundit, kosovarët e kanë përshkruar vetveten si vëzhgues të fatit të tyre, ndërkohë që e ardhmja e tyre kontrollohej nga Moska, Uashingtoni, Brukseli dhe Nju-Jorku. Largimi i UNMIK-ut mbase do ta ndryshojë një qasje të këtillë.

Ban Ki Mun qartazi është afruar me pozicionin e atyre shteteve që e kanë njohur Kosovën, por nga këndvështrimi i serbëve, ata kanë fituar atë që kanë dashur, ata de facto e kanë marrë veriun e Kosovës.

Planet e serbëve të Kosovës për të formuar Parlamentin e tyre, i cili megjithëse nga Perëndimi konsiderohet si i paligjshëm, do të koordinojë agjencitë serbe, policinë, sigurinë, e madje edhe zyrat e Ministrisë serbe të Mbrojtjes. Zvarritja e këtij problemi nuk do të ndihmojë aspak. Diplomatët nuk duan që Kosova të jetë një zonë e ngarkuar ndërkombëtare për vite të tëra.

Kosova është prioritet i dorës së dytë për Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin në përgjithësi, me krizën ndërmjet Iranit dhe Izraelit, luftën në Irak dhe Afganistan. Megjithatë, rasti i Kosovës ka vënë në konflikt parimet kyçe të marrëdhënieve ndërkombëtare – sovranitetin e shtetit kundër konceptit relativisht të ri të vetëvendosjes për kosovarët. Ky rast shihet si një test, nëse Ballkani mund të integrohet në Evropë apo nëse anon drejt grupimeve nacionaliste.

Madje, edhe para një viti ka qenë e mundshme të bisedohet për një rezolutë paqësore, të rregullt dhe jo me një çmim të lartë për Kosovën. Me të do të përmbyllej edhe kapitulli i fundit i kaosit ballkanik, duke i dhënë fund kështu edhe një fushate të përgjakshme dhjetëvjeçare të Sllobodan Millosheviçit për "Serbinë e Madhe".

Por Kosova është hedhur në një kthesë të papritur nga Serbia. Askush nuk ka pritur që Serbia do të ishte e aftë ta fuste në konfuzion Këshillin e Sigurimit, askush nuk ka pritur që Rusia të shkonte deri në fund për Serbinë. Dhe, mungesa e një rezolute vazhdon të nënkuptojë një tatëpjetë për Prishtinën.

Në vend të një misioni të NATO-s, i cili tani do të duhej të merrej me stërvitjen e forcave të rendit, NATO-ja vazhdon t'i mbajë larg të dyja palët. Në vend të një misioni evropian në terren, Brukseli vazhdon të merret me mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare.

Në vend të një sistemi ligjor, ekzistojnë dy të këtilla, kosovar dhe serb. Dhe, në vend të një izolimi të pritur për Serbinë – Sllovakia, Greqia, Spanja dhe Rusia janë duke mbështetur përpjekjet e Beogradit për të sfiduar pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›