Pavarësia e Kosovës, sot në Hagë flet Shqipëria
UPDATE- Në ditën e dytë të seancës dëgjimore në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës pritet të flasin katër shtete; Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite dhe Argjentina.
Tre shtetet e para e kanë njohur Kosovës dhe rrjedhimisht do të mbështesin vendimin e tyre para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Argjentina nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe pritet të argumentojë kundër pavarësisë. Seanca e sotme do të fillojë në ora 10 dhe do të vazhdojë deri në ora 1 të pasdites.
Gjatë ditës së parë kanë folur delegacionet e Serbisë dhe Kosovës. Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës gjatë seancës së djeshme kanë folur edhe disa ekspertë ndërkombëtarë.
***
Haga, Sejdiu: Argumentet janë në anën e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në emër të popullit dhe të institucioneve të vendit, shpreh mbështetjen e tij të plotë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga përfaqësuesit institucionalë, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, dhe Sër Michael Wood me bashkëpunëtorët e tij.
Me këtë rast, presidenti Sejdiu falënderon të gjitha vendet që e kanë mbështetur dhe po i japin mbështetje Kosovës në këtë proces gjyqësor ndërkombëtar duke theksuar se argumentet e prezantuara për pavarësinë e Kosovës janë të qëndrueshme dhe të parrëzueshme.
"Këtyre argumenteve, përveç atyre historike-juridike dhe bashkëkohëse të zhvillimit të Kosovës dhe të dëshmimit të saj si rast sui generis, të cilat bazament e kanë vullnetin politik të popullit të Kosovës, u shtohen edhe zhvillimet pozitive në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej".
"Kosova ka dëshmuar se është vend i stabilitetit të qëndrueshëm, është vend i pranueshëm për të gjithë qytetarët e saj, është vend i respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, është vend i respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë sipas standardeve më të larta dhe është vend që ka marrë përgjegjësi si partner i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim reciprok", thekson presidenti Sejdiu.
Vetë njohjet ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare (siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) dhe partneriteti i rëndësishëm i Kosovës në marrëdhëniet bilaterale, sipas të parit të vendit, janë evoluim i ecjes së suksesshme dhe i zhvillimit të Kosovës si vend sovran, i pavarur dhe demokratik në familjen e vendeve të lira.
"Kosova i ka besuar dhe i beson drejtësisë ndërkombëtare dhe pret që shumë shpejt do të përfundojë ky proces duke e respektuar vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe realitetin pozitiv të ndërtuar në Kosovën sovrane dhe të pavarur", ka theksuar presidenti Sejdiu. /Telegrafi/
*****
'Dueli' në Hagë, Hyseni: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme
UPDATE- Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në paraqitjen e tij para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht ka folur për pozitën në të cilën gjendet Kosova sot, për të ofruar, siç ka thënë, substancë të rëndësishme për këtë proces.
Në këtë kuadër, zoti Hyseni ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, duke e cilësuar atë si një "Kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave".
Zoti Hyseni ka përmendur edhe "ligjet e miratuara që mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisaari, sikurse është decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare".
"Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë, dhe në të vërtetë përkundër presionit serb, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Pajtimi ndërmjet të gjitha komuniteteve tona ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës", ka thënë zoti Hyseni. Ai ka folur edhe për zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, duke u thirrë në vlerësimet e misioneve vëzhguese, të cilat këtë proces e kanë cilësuar si të lirë, të drejtë dhe demokratike.
"Bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol vital në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, dhe në ofrimin e shpresës dhe perspektivës për popullin e Kosovës", ka thënë ministri i jashtëm kosovar, duke nënvizuar këtu edhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
"Ne sot jemi në paqe, por sikur e dini, ka qenë një kohë kur gjendja në Kosovë ishte ndryshe. Kjo është dokumentuar mirë, përfshirë në vendimin e shkurtit të këtij viti të Tribunalit për ish-Jugosllavinë në rastin Milutinovi. Ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që është ushtruar mbi popullin e Kosovës; gjëra të këtilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë", ka thënë ministri Hyseni, duke shprehur edhe përkushtimin dhe vendosmërinë për të shikuar drejt së ardhmes.
"Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi", ka vënë në pah zoti Hyseni.
Duke folur ndërkaq për kërkesat e Serbisë për negociata të mëtejshme për çështjen e statusit, ai i ka cilësuar ato si të pamundshme dhe të padobishme.
"Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon", ka tërhequr vërejtjen ministri i jashtëm, për të nënvizuar se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë".
Ai ia ka rikujtuar Gjykatës edhe faktin se më 2005, "ka pasur një pajtueshmëri të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare se status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme".
"Edhe pse për të gjetur një zgjidhje, ishte lëvizur çdo gur, populli i Kosovës duhej të ecte përpara. Mungesa e qartësisë për statusin e stagnonte ekonominë tonë, dekurajonte investimet ndërkombëtare dhe nuk na e lejonte qasjen për huamarrje në institucionet ndërkombëtare financiare", tha Hyseni.
Pas dy dekadash izolimi, lufte dhe pasigurie politike, ka thënë ai, ishim të rraskapitur.
"Ata të cilët sot thërrasin për ripërtëritje të negociatave janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin", ka thënë ministri kosovar.
Duke folur për vetë Deklaratën e Pavarësisë, të cilën zoti Hyseni e cilësoi si "manifestim dhe realizim të vullnetit politik të popullit të Kosovës", ministri i jashtëm tha se nëpërmjet saj, "Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare" dhe "për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit".
Në mbyllje të paraqitjes, ai tha se "pavarësisht vështirësive të së kaluarës, dhe vuajtjeve nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, ne ende dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë".
Argumentet e Serbisë
"Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial", ka thënë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, në seancën dëgjimore në GJND, duke u thirrur vazhdimisht në Rezolutën 1244, që, sipas tij, "garanton integritetin territorial të Serbisë".
Pikërisht në orën 10:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, në Hagë ka filluar seanca e parë dëgjimore rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Folësi i parë, pas hapjes zyrtare të seancës, ka qenë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, i cili tha se për organizatat ndërkombëtare, "veçanërisht kur b