E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrijnë në Shkodër ndihmat e mitrovicasve

Nga Express më 16 janar 2011 në ora 19:22

Zyrtarët komunalë në Mitrovicë kanë dorëzuar në Shkodër dy kamionë me ndihma për banorët që janë përballur me probleme të mëdha si pasojë e përmbytjeve. Transporti i ndihmave, kryesisht ushqimore, është siguruar nga FSK-ja, përkatësisht nga Batalioni për Reagim të Shpejtë.

Delegacioni nga Mitrovica është pritur nga vetë prefekti i Shkodrës Mexhid Cungu, i cili ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për ndihmat e mbledhura. Ai ka thënë se kjo është një ndihmë shumë e mirëseardhur për banorët, të cilët për gati një muaj kanë qëndruar jashtë shtëpive të tyre të përmbytura.

“Tani gjendja është stabilizuar në përgjithësi, por problemet mbeten të mëdha, meqë dëmet janë të mëdha”, ka potencuar Cungu, siç transmeton Kosovapress.

Prefekti i Shkodrës ka kujtuar se ndihma kanë ardhur nga gjithë Kosova, por edhe nga shtetet tjera. Ai sqaroi se problemet më të mëdha janë për bagëtitë për të cilat mungon ushqimi, ndërsa sa i përket dëmeve të shkaktuara ka thënë se tash është faza kur do të nisë puna për llogaritjen e tyre.

Në anën tjetër, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i komunës së Mitrovicës, Behxhet Bala, ka thënë se mitrovicasit përkundër problemeve që kanë, nuk kanë hezituar të ndihmojnë vëllezërit e tyre në Shkodër.

“Në Mitrovicë gjendja ekonomike nuk është e mirë, mirëpo bizneset pa asnjë hezitim u janë përgjigjur aksionit për të ndihmuar shkodranët”, ka thënë Bala.

Ai sqaroi se biznesmenët mitrovicas kanë ndihmuar me artikuj ushqimorë, mandej veshmbathje, teknikë të bardhë, etj.

“Ka qenë një solidarizim i madh i të gjithëve. Qytetarët mitrovicas janë treguar shumë solidarë me vëllezërit nga Shkodra”, ka thënë mes tjerash Bala.

Ai përmendi edhe ndihmën e punëtorëve të PTK-së që kanë dhuruar 405 euro me të cilat janë siguruar një sasi patatesh për shkodranët, duke përkujtuar se komuna e Mitrovicës kishte ndihmuar qytetarët e Shkodrës edhe vitin e kaluar, pas përmbytjeve që kishin ndodhur atje.

Prefekti i Shkodrës dhe delegacioni nga Mitrovica janë pajtuar që pas stabilizimit të situatës në Shkodër, të organizojnë vizita të ndërsjella me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit të rregullt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›