Kosova, zyrtarisht në BB dhe FMN
Prej ditës së djeshme, Kosova është edhe zyrtarisht anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore. Kjo u arrit pasi Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Hashim Thaçi nënshkruan në Uashington dokumentet e pranimit të vendit në institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Ceremonia u zhvillua në Departamentin amerikan të Shtetit dhe një kopje e marrëveshjeve iu dorëzuan nënsekretarit të Shtetit, Xhejms Stajberg. Fondi Monetar Ndërkombëtar e miratoi anëtarësimin në fillim të muajit maj, ndërsa Banka Botërore në fillim të këtij muaji. Kosova do të ketë të drejtën për të marrë kredi miliona dollarëshe të mbështetura nga këto dy institucione, si edhe ekspertizë për zhvillimin e ekonomisë, infrastrukturës dhe shoqërisë. Anëtarësimi në këto dy institucione shumë të rëndësishme financiare ndërkombëtare, përveç peshës politike, është edhe një inkurajim shtesë për shtetin e Kosovës që të vazhdojë të ruajë stabilitetin makroekonomik përmes disiplinës buxhetore dhe fiskale. Në delegacionin e Kosovës morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, dhe ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala. Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi e kanë konsideruar pranimin e Prishtinës në këto institucione ndërkombëtare një sukses dhe zhvillim historik, që përmirëson imazhin e Kosovës në botë. Udhëheqësit e Kosovës u takuan me drejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Khan dhe me Presidentin e Bankës Botërore, Robert Zoellick.