E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kuarteti" ballkanas: Të bashkëpunojmë në ekonomi

Shfrytëzimi më i mirë i mundësive tregtare, balancimi i marrëdhënieve tregtare dhe pakësimi i barrierave administrative të ndërsjella, ishin ndër çështjet kryesore që diskutuan midis tyre përfaqësues të lartë të Dhomave të Tregtisë së Maqedonisë dhe të Kosovës, afaristë e biznesmenë dhe përfaqësues të tjerë të jetës ekonomike të të dyja vendeve në një takim të zgjeruar që u zhvillua këto ditë në selinë e Dhomës së Tregtisë së Kosovës në Prishtinë.

Folës të ndryshëm shqiptarë dhe maqedonas në takim vunë në dukje se jo vetëm kriza ekonomiko-financiare globale është shkak për rënien e tanishme të vlerës së përgjithshme të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve fqinje, që vitet e fundit shënuan një rritje rrallëherë të konstatuar në të kaluarën dhe se të dyja vendet duhet të bëjnë më shumë përpjekje për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve, sidomos, në kushtet aktuale, kur Kosova funksionon si shtet i pavarur. Ata (folësit) vunë në dukje se Kosova dhe Maqedonia kanë ende shumë mundësi që nuk po i shfrytëzojnë, me synimin që t‘i zhvillojnë më tej marrëdhëniet mes tyre në fushën ekonomike dhe, midis të tjerave, kërkuan përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh të dyja vendet fqinje.

Presidenti i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, që mori pjesë në takim, vuri në dukje se Maqedonia është e pranishme në tregun kosovar më shumë falë nismave individuale të kompanive dhe firmave të caktuara maqedonase se sa si rezultat i ndonjë strategjie tregtare shtetërore. "Vendi ynë ka nevojë për një strategji të caktuar për sa u përket shkëmbimeve tregtare me Kosovën. Ka ardhur koha që të dyja shtetet të krijojnë komisione të përbashkëta në Ministritë e Ekonomisë së vendeve respektive dhe të përgatisin e të arrijnë marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e investimeve të huaja", theksoi z. Branko Azeski, i cituar nga media maqedonase.

Presidenti i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, nga ana e tij, midis të tjerave, vuri në dukje se ekziston nevoja që firmat kosovare të prezantohen më mirë në tregun e Maqedonisë, para së gjithash për shkak të nivelit të ulët të eksporteve nga Kosova në drejtim të Maqedonisë. Ai theksoi se do të ishte e dëshirueshme që firmave kosovare t‘u jepeshin shanse të barabarta pjesëmarrjeje në tenderët që shpallen në Maqedoni. "Maqedonia dhe Kosova së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi duhet të zhvillojnë një bashkëpunim ekonomik më të madh e më të ngushtë dhe të përfaqësohen bashkërisht në projektet e financuara nga ana e fondeve të Bashkimit Europian", theksoi z. Beqaj.

Folës nga Kosova dhe Maqedonia gjithashtu shprehën mendimin e përbashkët se politika nuk duhet të ndikojë negativisht në bashkëpunimin ekonomik dhe u dërguan mesazhe politikanëve që të mendojnë dhe të veprojnë si biznesmenët - me shpejtësi dhe efikasitet.

Maqedonia, si një nga partneret tregtare kryesore të Kosovës, shkruante ditët e fundit media e specializuar maqedonase, në radhë të parë për shkak të krizës globale, në tremujorin e parë të këtij viti shënoi një rënie prej 29.1 për qind të eksporteve të saj në drejtim të Kosovës dhe 9 (nëntë) për qind të importeve të saj nga ky vend. Më shumë se 55 për qind të eksportit të Maqedonisë në drejtim të Kosovës e zë nafta dhe nënproduktet e saj, kurse pjesa tjetër u takon produkteve të industrisë ushqimore, ndërtimore e metalurgjike, si dhe kimikateve të ndryshme, mobilieve etj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›