E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët dhe pushtimi i Berlinit

Autori i Lajmit: Enver Robelli
“Turqit po e pushtojnë Gjermaninë bash sikur e kanë pushtuar kosovarët Kosovën: përmes natalitetit të lart녓. Kështu ka thënë Thilo Sarrazin, ish-ministër i Financave në qytetin e Berlinit. Sarrazin është anëtar i Drejtorisë së Bankës Kombëtare të Gjermanisë dhe socialdemokrat. Një skandal gjerman
Kur nuk kanë argumente serioze, shumë politikanë e gjejnë shpëtimin në artin e provokimit. E sulmojnë kundërshtarin në pjesën e poshtme të barkut, aty ku goditjet kanë efekt më të madh dhe të menjëhershëm. Nuk ka lidhje nëse sulmi verbal dhe retorik ka të bëjë diçka me realitetin. Me rëndësi është të tërhiqet vëmendja e opinionit dhe e mediave. Ai që provokon zakonisht zgërdhihet mbi pasojat e goditjes, derisa makina e zemërimit e shtetit demokratik punon pandërprerë. Pak a shumë kështu ndodhi këto ditë në Gjermani, pas një interviste të Thilo Sarrazin. Ky njeri me prejardhje nga një familje aristokrate i dha një intervistë të gjatë magazinës për çështje kulturore ”Lettre international“. Sarrazin foli për problemet e Berlinit. Për papunësinë. Për varfërinë. Për mizerjen financiare të kryeqytetit gjerman. Për përtacinë e qytetarëve. Sarrazin u ankua se Berlini vuan nga faktori i dembelizmit. Atij nuk i pëlqen që 40 për qind e fëmijëve që lindin në Berlin i përkasin të ashtuquajturës ”shtresë e ulët“. Me fjalë të tjera, sipas kësaj logjike, familjet e prapambetura lindin më shumë fëmijë dhe kështu i krijojnë probleme shoqërisë. Njëkohësisht, prindërit e arsimuar nuk krijojnë familje të mëdha, maksimumi është dy fëmijë. Ata më tepër ëndërrojnë të bëjnë karrierë. Këto probleme janë të njohura në Gjermani dhe në vende të tjera industriale. Sarrazin vetëm i përmend ato me ashpërsi për dallim nga politikanët e tjerë, të cilët të frikësuar nga reagimi i opinionit dhe i mediave çdo fjalë së pari e matin në një peshore të arit për të qenë politikisht korrektë deri në paqartësi.
“Agresivë dhe atavistë“
Thilo Sarrazin, ish-ministër i Financave në Berlin dhe tani anëtar i Drejtorisë së Bankës Kombëtare të Gjermanisë (Bundesbank), është njeri i fjalëve të drejtpërdrejta. Në Berlin, sipas tij, ekziston edhe një problem madhor. Ky problem quhet: komuniteti turk. Njerëz që edhe pas 40 vjet qëndrimi në Gjermani nuk flasin gjermanisht dhe çdo fundjavë vërshojnë parqet dhe kopshtet e kryeqytetit, ku pjekin mish, pinë çaj dhe e mbushin hapësirën publike me mbeturina. Sarrazin mendon se një gjendje e tillë nuk mund të durohet më. Në polemikën e tij kundër turqve Sarrazin e humbi kontrollin. Ai tha: ”Turqit po e pushtojnë Gjermaninë bash sikur e kanë pushtuar kosovarët Kosovën: përmes natalitetit të lartë“. Do të ishte qesharake të futemi këtu në debat se kush e ka pushtuar Kosovën. Sarrazin nuk interesohet për fakte historike. Sikur të bënte diçka të tillë, atëherë nuk do t i funksiononte provokimi. Ky politikan socialdemokrat ankohet se për shkaqe historike Berlini ka humbur një pjesë të madhe të elitës (sidomos me shfarosjen e hebrenjve në Luftën e Dytë). Sarrazin thotë se turqit dhe arabët janë ”agresivë dhe atavistë“. Domethënë ata kanë tipare dhe veti të paraardhësve të largët të njerëzve. Sarrazin vetëm që nuk thotë turqit dhe arabët janë kafshë. Në të njëjtën kohë, duke u mbështetur në traditën e errët të nazizmit, Sarrazin merret me inxhiniering biologjik, kur thotë se emigrantë të dobishëm janë hebrenjtë e Evropës Lindore, sepse, sipas tij, ata kanë një koeficient të mençurisë për 15 për qind më të lartë se sa gjermanët. Shfryrjen raciste të Sarrazinit kundër turqve dhe arabëve e ka kritikuar Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani.
„E kam përshtypjen se Sarrazin me mendësinë e tij po i bën nder të madh Göringut, Goebbelsit dhe Hitlerit“, ka thënë sekretari i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Stephan Kramer.

Kundër përbuzjes
Shpërthimi i Sarrazinit në fakt shpalos një problem të madh të socialdemokracisë në Evropë. E majta në Gjermani dhe gjetiu në Evropën Perëndimore me decenie ka injoruar problemet me të huajt. Në emër të multikulturalizmit të huajt janë lejuar të jetojnë nëpër geto, qeveritë socialdemokrate nuk kanë prezantuar koncepte për integrimin e të huajve dhe nuk kanë ndarë mjete të nevojshme financiare për shkollimin e tyre. Tema e madhe e integrimit të të huajve në katër vjetët e fundit është poshtuar gati tërësisht nga partitë konservatore, të cilat e kanë kuptuar se Gjermania dhe shtetet e tjera industriale me popullsi gjithnjë e më të mplakur kanë nevojë për pranimin e emigrantëve. Disa sektorë publikë si shëndetësia, mirëmbajtja e qyteteve etj. as që do të funksionin pa punëtorët e huaj. Për këtë arsye konservatorët e kancelares Angela Merkel po angazhohen me këmbëngulje për integrimin e të huajve. Në lidhje me provokimin e Thilo Sarrazin gazeta ”Süddeutsche Zeitung“ shkruan: ”Nuk mjafton të kritikohet gjendja dhe të përbuzet prapambetja e familjeve të emigrantëve, të cilat refuzojnë shkollimin. Pas pak vitesh në disa lagje të qendrës së Berlinit çdo fëmijë i dytë do të rrjedhë nga një familje jogjermane – por, ai fëmijë nuk do të jetë ‚turk apo ‚grua arabe , por shtetas gjermanë. Këta njerëz nuk do të zhduken, edhe pse ndokush mund ta dëshirojë këtë. Ka ardhur koha që jo vetëm në Berlin, por edhe në pjesën tjetër të vendit të mësohemi me një fakt, i cili është i pranuar ngaherë në shtetet fqinje evropiane: përkatësia nuk definohet përmes ngjyrës së lëkurës, gjakut apo racës dhe as përmes fesë, por përmes socializimit – pra, nga ajo se në çfarë bote mendore rritet dikush. Problemet e shtresave të ulëta urbane, të cilat numerikisht janë në rritje, në thelb nuk janë të natyrës etnike, por sociale. Ato shkaktohen nga varfëria dhe padituria, nganjëherë edhe budallallëku, por jo nga gjenetika. Një prind nuk e rreh të birin e tij, sepse është kurd, por pse nuk njeh metoda të tjera të edukimit. Një fëmijë nuk e ndërpret shkollimin pse prindërit e tij janë palestinezë, por pse atyre u mungon shkollimi dhe vlerësimi për shkollë“.

Një kurvë e përsosur
Sarrazin ka shprehur keqardhje për disa formulime në intervistën e tij për ”Lettre international“, por nuk ka kërkuar falje. Po ashtu, ai ka refuzuar të japë dorëheqje. Qasja e tij provokuese ndaj problemeve ekzistuese me të huajt në Gjermani është mirëpritur nga ana e partisë neo-naziste NPD. Kjo parti ka propozuar që Sarrazin të emërohet i ngarkuar i shtetit për integrimin e të huajve. Nganjëherë deklaratat e pamenduara mirë mund të nxisin duartrokitje edhe nga qarqet kundërshtare. Këto ditë neo-nazistët në Gjermani po i duartrokasin një socialdemokrati, i cili bazuar në traditën e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) do të duhej të ishte luftëtar i madh kundër racizmit.
Thilo Sarrazin nuk është i vetmi politikan në Gjermani që ka ngjallur reagime me deklarata provokuese. Politikani kristiandemokrat Jürgen Rüttgers para disa javësh kishte thënë: ”Për dallim nga punëtorët në trevën e Ruhrit, ata në Rumani nuk shkojnë në orën shtatë në ndërrimin e parë dhe nuk rrinë deri në fund në punë, por shkojnë e vijnë kur të duan dhe nuk e dinë çfarë bëjnë“. Politikani komunist, ish-funksionari i lartë i Partisë Social demokrate, Oskar Lafontaine, kishte thënë: „Shteti është i obliguar të pamundësojë që prindërit dhe femrat të mbesin pa punë, sepse punëtorët e huaj ua marrin atyre vendet e punës duke punuar për rroga të ulëta“.
Ish-kancelari Helmut Schmidt në vitin 2003 kishte deklaruar: „Megjithëkëtë, shumë njerëz po ankohen për pensionet e tyre. Kjo më bën të vjell“.
Politikani socialdemokrat Kurt Beck i kishte thënë një qytetari të papunë: ”Nëse laheni dhe rruheni, atëherë do ta gjeni një vend pune“.
Në vitin 1986 kancelari Helmut Kohl kështu e kishte përshkruar shefin e ri të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov: ”Ai është një lider modern komunist, i cili kurrë nuk ka qenë në Kaliforni, kurrë nuk ka qenë në Hollyëood, por ai e di si funksionojnë relacionet publike. Edhe Goebbelsi (shefi i propagandës së Hitlerit, v.j.) e ka ditur si funksionojnë relacionet publike“. Ministrja gjermane e drejtësisë Herta Däubler-Gmelin në vitin 2002 kishte thënë për presidentin amerikan George Ë. Bush: ”Bush dëshiron të tërheqë vëmendjen nga vështirësitë në politikën e brendshme. Kjo është një metodë e njohur. Këtë e ka bërë edhe Hitleri“.
I pakalueshëm në provokime politike mbetet kryeministri shumëvjeçar i Bavarisë, Franz Josef Strauss. Në vitin 1977 ai kishte thënë se Hans-Dietrich Genscheri, ministri shumëvjeçar i jashtëm i Gjermanisë, është ”një kurvë e përsosur“.
robelli@blueëin.ch
Ky lajm është publikuar: 20/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›