Një mbrëmje për Shirokën
Viktor Shiroka është emri që lidhet me koncertin e radhës të Kameratës së Tiranës, të mbajtur mbrëmjen e djeshme. Frymëzuar dhe motivuar nga jeta artistike e një artisti shqiptar, siç është Viktor Shiroka, kjo mbrëmje koncertore i kushtohet pikërisht atij, ndërsa studentët e dalë nga klasa e tij, Zija Bejleri (oboist dhe saksofonist) dhe Ilir Gjoka (oboist), ishin solistët e ftuar në këtë mbrëmje. Për hir të pedagogut dhe mësuesit të tyre, nën dirigjimin e Vito Clementi-t, ata i dhuruan skenës dhe publikut shqiptar pjesë si "Marcello", "Respigi", "Vivaldi", "Anselmi", "Cimarosa". Shkodrani Viktor Shiroka ishte oboist dhe pedagog. Në vitin 1957 vazhdoi studimet në Pragë, ku u diplomua për oboe. Me krijimin e orkestrës simfonike të RTVSH-së, më 1962 filloi punën si oboist solist, njëkohësisht dhe si pedagog në Konservatorin e Tiranës. Gjatë viteve 1993-2001 ishte pedagog në Akademinë e Arteve. Viktor Shiroka ka interpretuar si solist dhe si anëtar ansamblesh dhome. Ka një repertor që përfshin periudhën që nga paraklasikët e deri në ditët tona. Ka interpretuar edhe jashtë vendit, si në Itali, Greqi, Turqi, Kinë etj., dhe gjithmonë ka qenë në pozicionin e pultit të parë. Shiroka është nderuar me tituj e çmime. Ndër to dhe me titullin "Artist i Merituar".