E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika, çfarë lumturie!

Është i njohur si pianist, po aq sa edhe si kompozitor. Si pianist ka mbajtur me qindra recitale e koncerte me orkestra simfonike, thuajse në të gjitha kryeqytetet e Evropës, Amerikës, Afrikës e Azisë. Ka prekur skenat më të njohura të Milanos, Parisit, Vjenës, Moskës... Quhet Marcello Abbado. Rrjedh nga një familje shumë e njohur muzikantësh, e famshmja Abbado. 80-vjeçari ndodhet në Tiranë, i ftuar nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për të mbajtur dy master klasa për piano. Maestroja do të udhëheqë programin e titulluar "Pianoja dhe këngëtari". Pas një eksperience të gjatë mbi supe edhe si anëtar jurie në konkurse të rëndësishme ndërkombëtare, ai rrëfen i kënaqur që ndryshe nga sa mund të mendohet, të rinjtë u kushtohen mjaft instrumenteve e muzikës klasike. Por e gëzon edhe një tjetër arsye: janë shtuar femrat të cilat i kushtohen muzikës klasike. Pjesëmarrja e tyre ndihet më shumë se kurrë edhe nëpër orkestra të rëndësishme. Abbado drejtoi konservatorin "Giuseppe Nicolini" të Piacenza-s, konservatorin "Gioacchino Rossini" të Pesaro-s, si dhe konservatorin "Giuseppe Verdi" të Milanos, në krye të së cilit qëndroi për 24 vite. I lumtur që i përket një familjeje e cila e rriti nën tingujt e muzikës, ai tregon detaje nga fëmijëria, kompozimet e para, atëherë kur vjershat i kthente në këngë dhe përkushtimin ndaj pianos. "Muzika është lumturi", përsërit herë pas here e ndaj ka edhe një këshillë për të instrumentistët e rinj shqiptarë: të kenë më shumë besim tek ata që i udhëheqin e të mos ndihen inferiorë për sa u përket cilësive të tyre artistike.

Z. Abbado, ndodheni në Tiranë për të realizuar dy master klasa për piano. Cili është më konkretisht angazhimi juaj?

Po, ndodhem në Tiranë për të udhëhequr dy master klasa për piano. Njëri u rezervohet pianistëve shqiptarë dhe tjetri për pianistët shoqërues në Teatrin e Operës. Janë dy tematika tërësisht ndryshe. Duhet thënë se ky lloj i dytë i master klasit që përmenda është i ri, inovativ dhe specifik, për një teatër opere si ky. Ai shërben për të mësuar se si një pianist mund të shoqërojë një këngëtar, si mund të interpretojë muzikën e dhomës dhe si mundet, sipas stileve, të zëvendësojë orkestrën, sepse të zëvendësosh një orkestër për Mozartin, për shembull, është shumë ndryshe nga zëvendësimi i një orkestre për Verdin e ndaj ka mënyra të ndryshme për t‘i rënë pianos. Dhe është shumë interesante për mua fakti që kam këto kontakte praktike, reale. Pastaj, master klasi për studentët është ai i zakonshmi, nga ato të cilat unë i kam mbajtur në të gjithë botën, ndaj edhe më bëhet shumë qejfi të dëgjoj dhe të ndihmoj pianistët e rinj shqiptarë.

Kur jeni njohur së pari me instrumentistët shqiptarë?

Kontakti im i parë me muzikantët shqiptarë ka qenë kur Zhani Ciko erdhi në Milano me studentët e tij të mrekullueshëm. Ata ishin një grup fantastik violinash. Ishin vërtet mbresëlënës. Mbajtën një koncert mjaft të suksesshëm në sallën "Verdi" të konservatorit të Milanos. Aty unë pata këtë kontakt direkt nëpërmjet muzikantëve që erdhën në Itali. Më pas unë nisa të bëja udhëtimet e mia dhe dua të kujtoj një detaj. Për të sjellë studentët e konservatorit të Milanos nga Italia në Shqipëri, unë i kërkova një kompanie ajrore të na ofronte udhëtimin me një çmim special për studentët. Drejtori tregtar i saj na tha se nuk mund ta modifikonin çmimin për udhëtimin Romë-Tiranë, dhe një udhëtim ajror Milano-Tiranë nuk ekziston, por mund ta zëvendësojmë udhëtimin me këtë linjë të dytë dhe të ofrojmë për ju një çmim shumë special. Dhe kështu u bë. Me një detaj më shumë. Më telefonuan dhe më thanë: "Ne ju vëmë në dispozicion një avion të madh, por ka më shumë vende nga sa ju jeni". Ndaj, na morën leje që të ngjiten pasagjerë të tjerë në bord. E kështu lindi edhe udhëtimi i parë Milano-Tiranë.

Cili është mendimi juaj për instrumentistët shqiptarë, duke iu referuar kontaktit tuaj të parë me ta, e duke bërë një krahasim me instrumentistët që ju keni takuar sot?

Unë pata një përshtypje shumë të mirë falë ekzekutimit të violinistëve. Kuptova se ka një shkollë violine shqiptare të jashtëzakonshme, kjo edhe për meritë të Zhani Cikos. Por sot, shumë violinistë, por mbi të gjitha violiniste gra, që interpretojnë edhe në Itali në shumë orkestra të njohura e me emër, siç është orkestra "Verdi" e "La Scala", kanë treguar vlerat e tyre duke nderuar Shqipërinë. Ndaj, përshtypja ime muzikore është një përshtypje e mirë duke iu referuar violinës. Por kam pasur më pak kontakte me shkollën e pianos apo të instrumenteve të tjera. Megjithatë, kam dëgjuar se ka edhe këngëtarë shqiptarë mjaft të mirë. Mendoj se te ju ka një muzikalitet e një instinkt të madh.

Këta instrumentistë shqiptarë që ju i keni parë edhe në Itali, sipas mendimit tuaj, si janë integruar? A ka hapësira mjaftueshëm edhe për ta?

Mendoj se janë integruar në mënyrë të shkëlqyer, edhe pse niveli artistik është ai që i çel dyert. E sigurisht që ka vende për ta dhe janë të mirëpritur ngaherë. E madje dua të them që sa mirë që këta violinistë të rinj shqiptarë u kanë dhënë një impuls të ri e mjaft gjallëri orkestrave italiane. Pastaj janë edhe solistë me një vlerë të madhe. Ajo që të bën më shumë përshtypje megjithatë, është se ka mjaft violiniste shqiptare mes violinave të para në këto orkestra. Këtë dua ta them. Ato nuk janë violina të dyta, por të para.

Maestro, ju jeni nga një familje e madhe muzikantësh. Si///////////////////////////////////////////////////////////////////////

Sigurisht që muzika të bën të jetosh në një mënyrë të mrekullueshme. Unë dhe vëllezërit e mi e kemi pasur këtë fat për të jetuar të zhytur në muzikë. Unë kam kujtime shumë të hershme nga im atë violinist. E madje dua të tregoj një detaj. Më kujtohet një ditë kur babai më pyeti se cili ishte kujtimi më i largët i imi në muzikë. Dhe unë iu përgjigja: "La ciacola" e Bach. Më pas zbulova se im atë një ditë para se unë të lindja kishte interpretuar në një koncert, pikërisht duke ekzekutuar këtë pjesë nga Bach. Muaj më parë ai studionte pikërisht këtë pjesë dhe unë nëpërmjet nënës sime e kam dëgjuar këtë pjesë. Ajo është muzika që unë e njoh qysh para se të lindja. Ky është një shembull për të treguar se si jetohet në një familje ku dëgjohet muzikë. Nga im atë unë kam dëgjuar të gjithë repertorin violinistik, të cilin e kam shumë të nevojshëm kur jam në jurinë e konkurseve të rëndësishme ndërkombëtare. Nëna ime ishte pianiste dhe më kujtohet se mbrëmjeve pas darke (mamaja ime ishte siciliane) na pyeste: Fëmijë, sot dëshironi të dëgjoni muzikë siciliane apo sonatat e Bethovenit? E mamaja interpretonte përherë sipas kërkesave.

Ishte e bukur kjo frymë me të cilën u rritët?

Ah, e mrekullueshme... Ishte një botë e mrekullueshme. E gjithë kjo muzikë na ka bërë të kalojmë një fëmijëri shumë të bukur. Mendoj se për fëmijët është shumë e rëndësishme të rriten të lumtur dhe muzika e fal gjithë këtë lumturi.

I rritur nga prindër instrumentistë, fakti që edhe ju do të merreshit me muzikë ishte si i paracaktuar?

Jo, absolutisht. Ishte shumë spontan. Ndërsa unë luaja, kur isha katër apo pesë vjeç, në të njëjtën kohë edhe këndoja këngë të miat, që babai i transkriptoi. Por ajo që ishte vendimtare ndodhi në një kohë kur unë i përsëritja mamasë sime vjershat që kisha mësuar përmendësh. Një ditë ndodhi që unë e këndova një nga këto vjershat. E më kujtohet se ajo më pyeti: "Kush ta ka mësuar këtë këngë"? Unë i thashë asnjë, e shpika vetë. Dhe ky zakon që unë këndoja poezitë vazhdoi edhe për kohë të tjera. Pastaj shkova me babain tim në Konservatorin e Milanos, ku u vendos që unë të studioja kompozim, ndërsa isha shtatë vjeç dhe instrumenti më i mirë për një kompozitor është pianoja. Por nuk synoja të bëhesha pianist e as të bëhesha kompozitor. Gjithçka erdhi shumë spontanisht. Po kështu ndodhi edhe me vëllezërit e mi.

Si ndiheni për faktin që i përkisni një familjeje të madhe muzikantësh?

Unë ndihem i lumtur që jam pjesë e kësaj familjeje, i lumtur që jetoj me muzikën në këtë mënyrë. Sepse ajo që më jep më shumë kënaqësi mua, është fakti që falë muzikës kam shumë komunikim edhe me të rinjtë. Unë kam bërë kompozitorin e pianistin, kam drejtuar edhe konservatore të ndryshme para se të drejtoja Konservatorin e Milanos. Kam qenë për tetë vite në Piacenza, për gjashtë vite në Pesaro e për 24 vite qëndroj në Milano. Gjithnjë kam pasur një raport shumë të bukur me studentët, një marrëdhënie miqsh. Në Milano prej shumë vitesh funksiononte orkestra e pasditeve muzikore, që mbante koncerte në teatrin "Nuovo". Një ditë drejtuesi i orkestrës me telefonoi, duke më thënë se nuk do të mbante më koncerte në teatër, për arsye administrative. Atëherë unë i thashë të mos shqetësohej, sepse orkestra mund të vinte të bënte prova në konservator, në sallën "Puccini", koncertet në sallën "Verdi" dhe nuk do të paguanin asgjë, por në këmbim do u jepnin mundësinë studentëve më të mirë të konservatorit të interpretonin si solistë. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me orkestra të tjera.

Prej shumë vitesh merreni me muzikë, jeni ndërkohë edhe pjesë e shumë jurive në koncerte ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtyre viteve, si e shihni ju interesin e të rinjve kundrejt muzikës klasike?

Po rritet numri i të rinjve që i kushtohen muzikës klasike. Edhe pse janë të përgatitur se dhe vështirësitë janë duke u shtuar. Por besoj se është një stimul fakti se ata po fitojnë një betejë të vështirë. Ndërsa më duhet të them se edhe mosha e të rinjve të talentuar e të suksesshëm është ulur. Nëse para disa vitesh një instrumentist nuk mund të bëhej i njohur e të kishte sukses pa i kaluar të 30-at, sot më duhet të them se shpesh herë hasim në të rinj të suksesshëm, të cilët mund të jenë ende 20-vjeçarë. Ndërkaq, ajo që bie më shumë në sy është se në orkestra është rritur shumë edhe numri i femrave të cilat merren me muzikë klasike. Por kjo vihet re edhe në profesione të tjera. Ato kanë arritur të kuptojnë aftësitë e tyre dhe të bëjnë para pa vështirësi, sepse edhe kohët kanë ndryshuar. Nuk jemi më në vitet kur gruaja duhet të luante rolin e të përulurës e të mos angazhohej në profesione që zakonisht u përkisnin meshkujve. Me pak fjalë, falë intuitës, aftësive dhe inteligjencës, gruaja sot po zë një vend të rëndësishëm edhe në muzikën klasike e në vënien në pah të talenteve të reja.

Me aq sa i njihni ju instrumentistët shqiptarë, a ka ndonjë këshillë që do të donit t‘ua jepnit, në mënyrë që të ecin më mirë e të angazhohen më shumë në muzikën klasike?

Unë u them atyre se duhet të kenë më shumë besim tek ata që i udhëheqin. Ju keni muzikantë shumë të mirë, pedagogë të përgatitur, ndaj edhe të rinjtë duhet të ndjekin këshillat e atyre që kanë më shumë eksperiencë e mbi të gjitha ata nuk duhet të ndihen inferiorë për sa u përket cilësive të tyre artistike.

E në fund dua t‘ju pyes: ç‘është muzika për ju?

Dua të jap dy përgjigje. E para është ajo e zakonshmja: që muzika është një gjuhë absolute, që komunikon me të gjithë popujt e kulturat. E dyta, që është e imja personale, është: muzika është lumturi!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›