Grabitet karburanti,në autostradë maskat lidhin rojën
TIRANE – Grabitet karburanti në autostradë, autorët lidhin rojën, pasi nuk i gjetën shumë lekë. Ngjarja ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm në një pikë shitje karburantesh 7 kilometër nga kryeqytetit përgjatë autostradës Tiranë–Durrës. Persona të maskuar janë afruar te pompa e karburantit me pretekstin se do furnizonin makinën dhe sapo aty është paraqitur punëtori i benzinatës e kanë kapur atë dhe e kanë lidhur, ndërkohë që njëri prej tyre kontrollonte për t’i marrë paratë e xhiros. Pasi i kanë marrë rreth 400 mijë lekë të vjetra, grabitësit janë larguar ndërsa e kanë lënë rojën të lidhur aty. Klientë të tjerë që kanë hyrë në benzinatë e kanë gjetur rojën të lidhur dhe pasi e kanë liruar e kanë ndihmuar që të njoftojë policinë. Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se aktualisht pas denoncimit të bërë nga roja i karburantit, kanë nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa janë shoqëruar disa persona që janë marrë në pyetje, por ende pa pasur emra konkretë të autorëve të krimit. Sipas policisë, për shkak se autorët kanë qenë të maskuar, roja i karburantit e ka pasur të vështirë të njohë apo identifikojë ndonjërin prej tyre. fa.ma.