E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova–shtet, rradhën e ka ......

Shefki OLLOMANI

Historikisht, në të shumtën e rasteve, Shqiptarët kanë luftuar kundër pushtuesve të tyre ndaras: fis pas fisi, principatë pas principate, pashallëk pas pashallëku e krahinë pas krahine. Numërohen në gishta ato raste në histori kur Shqiptarët janë bashkuar dhe ngritur në luftë çlirimtare si një popull i vetëm dhe i bashkuar.
Këtu mund të numërohet Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit dhe Kryengritja e Përgjithshme e 1912-së, të cilat nuk mund të themi se ia kanë arritur qëllimit final, sepse, pas formimit të tyre, Udhëheqjet e tyre nuk kanë funksionuar në unitet të plotë, por ka pasur ndarje e mosmarrëveshje midis krerëve udhëheqës të këtyre Lidhjeve dhe mosunitet mendimi e veprimi brenda Udhëheqjes së Kryengritjes së Përgjithshme.
Luftërat çlirimtare pas 1912-së populli ynë i ka bërë i ndarë, veç e veç dhe secili në krahinën e vet. Edhe luftërat e fundit çlirimtare u bënë me rend dhe ndaras, prandaj u fitua aq pak liri e të drejta kombëtare.
Pavarësia e Kosovës vetëm do ta thellojë këtë ndarje, do ta përligji këtë vazhdimësi të përpjekjeve të çdo krahine shqiptare që me forcat e veta të luftojë për të hedhur qafe zgjedhën e robërisë sllavo-greke.
Kosova-Shtet, do t’i hipi "Trenit të Europës", porsi Shqipëria e Tiranës, dhe krahinave tjera shqiptare: Iliridës, Kosovës Lindore, Malësisë së Madhe, Çamërisë, Sanxhakut e Toplicës, do t’u thotë: "Zoti ua bëftë çaren, unë i hipa trenit, eca,… - mirupafshim në Bruksel"!
Kosova-Shtet nuk ishte dhe nuk është aspiratë e popullit shqiptar të ish-Jugosllavisë. Republika Shqiptare e Kosovës, nga Ulqini në Manastir dhe nga Struga në Medvegjë, ishte përpjekja dhe lufta e Shqiptarëve nën ish-RSFJ. Bashkimi i kësaj Republike me Shqipërinë ishte dhe është vullneti politik dhe kombëtar i popullit shqiptar të Trojeve Shqiptare nën ish-Jugoasllavi, tanimë të copëtuara sërish midis Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe një "Shteti artificial" në formim e sipër të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës! Kosova-Shtet nuk është aspiratë e shumicës së shqiptarëve të Kosovës prej 62%, të cilët nuk dolën në zgjedhje, por është vetëm e militantëve dhe anëtarëve të Partive politike që morën pjesë në votimet e 17 Nëntorit dhe 8 Dhjetorit 2007, pjesëmarrje e cila mezi i arriti 38%! Ndaj, Kosova do të jetë 38% "shtet" i kosovarëve naivë që ndoqën partitë politike kolaboracioniste shqiptaro-kosovare dhe 62% do të jetë Krahinë Jugore Serbe (Srpska Juzhna Pokrajina), apo Kosovë e Metohi!!!
Prandaj lufta dhe përpjekjet e Shqiptarëve të këtyre trevave shqiptare nuk do të ndalen deri në çlirim dhe ribashkim kombëtar. Është iluzion të mendosh se e ke zgjidhur Çështjen Kombëtare të Kosovës vetëm me formimin shtet të 1/3-së së saj! Kosova e vërtetë, etnike, reale, natyrore është trualli i Dardanisë Ilire, që shtrihet nga Tivari në Preshevë dhe nga Manastiri te Molla e Kuqe në Nish.
Sidoqoftë, Kosova, pas shumë vuajtjesh, luftërash e gjakosjesh, e meriton "biletën e trenit" për në Bruksel. Ndërsa, krahinat tjera shqiptare janë ende shumë larg mundësisë për të "blerë" atë biletë të lirisë e të pavarësisë që të udhëtojnë me "Trenin e Europës" për në Bruksel.
Kosova-Shtet do t'i kthehet vetvetes, shërimit të plagëve të veta të robërisë shekullore, ashtu sikurse Shqipëria londineze, e cila merret me vetveten qe 95 vjet rresht dhe nuk merret me çështjen kombëtare shqiptare dhe me krahinat e robëruara të Shqipërisë Etnike.
Solidariteti dhe bashkëpunimi ndërshqiptar po dobësohet vazhdimisht, sepse është në rritje egoizmi krahinor dhe xhelozia ndërkrahinore e ndërshtetërore midis Kosovës dhe Shqipërisë, se cila do të arrij e para në Bruksel. Kështu do të harrohen plotësisht nga këto dy shtete shqiptare problemet dhe aspiratat e krahinave tjera të pushtuara shqiptare dhe luftërat tyre për çlirim dhe ribashkim kombëtar!
Kosova e Pavarur do t’i ndihmojë krahinat e robëruara të Shqipërisë Etnike, aq sa i ka ndihmuar ata deri më tani Shqipëria e Pavarur e Tiranës: me fjalë, me deklarata kontradiktore, me destabilizim të vetvetes në momentet më kyçe që ka kaluar Kosova dhe trojet tjera shqiptare, me njohjen e shtetit të Maqedonisë e të Malit të Zi, me thirrjet patetike drejtuar "vëllezërve" të matanë kufijve për të duruar robërinë, për të mos luftuar për liri, të mos prishin "paqen" e pushtuesve dhe thirrje e deklarata tjera antikombëtare!
Moskokëçarja e Shqipërisë londineze dhe e Kosovës unmikistaneze për çlirim dhe ribashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike, do të imponojë shumë shpejt që krahinat shqiptare të mbetura edhe më tej nën pushtim të huaj të kthjellohen, të zgjohen, të binden për realitetin objektiv dhe ta marrin fatin e tyre në duart e veta dhe të mos presin ndonjë ndihmë të veçantë "vëllazërore" nga këto dy shtete shqiptare, sepse kjo ndihmë, në raste speciale, do të jetë shumë e vogël, më shumë deklarative, pak logjistike dhe aspak praktike dhe ushtarake.
Kosova do të bëhet ”shtet i pavarur”, me një gjysmë pavarësi, me një sovranitet të kufizuar, shtet pa tapi, me një ”sakat” intehritet, e cila do të jetë shumë pak funksionale dhe vështirë e përdorshme! Kjo pavarësi do të jetë fasadë, sikurse Autonomia e mëparshme e KSA të Kosovës nën Jugosllavinë titiste, sepse tani Kosova do të ketë të njëjtën Autonomi, kurse në realitet ajo nuk do të jetë e vetëdijshme, do të jetë në ëndërr e në iluzion dhe do të kujtojë se ka ”pavarësi e sovranitet”, do të kujtojë se është ”shtet”!!! Kosova-Shtet, do të jetë një shtet i dobët që mezi do të qëndrojë në këmbë, por megjithatë, do të jetë shtet dhe ne ia urojmë shtetësinë e pavarësinë, me dëshirën e shpresën që ky "shtet", me kohën, do të bëhet vërtetë shtet.
”Pavarësia dhe shtetësia” e Kosovës nuk duhet t’ua rrisë mendjen dhe vetëkënaqësinë kosovarëve shqiptarë. Kjo gjendje deliri mund të bëhet shumë e rrezikshme për Kosovën dhe për mbarë Çështjen Kombëtare Shqiptare. Tani mund të jetë më vështirë që t’i bindësh shqiptarët e Kosovës, ”kosovarët” e ”shtetit” të Kosovës, që ata nuk kanë fituar asgjë nga ky pseudoshtet! Mund të jetë e vështirë t’i bindësh ata se janë të barabartë me shqiptarët e Iliridës, Kosovës Lindore e të Malësisë së Madhe në aspektin e lirisë, pavarësisë e sovranitetit kombëtar. Pra, janë edhe më tej, sikurse vëllezërit tjerë: pa liri, pa pavarësi, pa sovranitet dhe në robëri, por që kjo robëri e ky pushtim tani kanë emër tjetër në Kosovë, më të sofistikuar, më të kamufluar, më tërheqës për naivët e mendjelehtët, ka emrin e ”Shtetit” e të ”Pavarësisë”, por realisht ka përmbajtjen e Protektoratit, i cili nuk është asgjë tjetër pos Neokoloni Evropiane!
Kush është tani ai filozof e patriot, ai lider e idealist, ai luftëtar e revolucionar që mund t’i bindë shqiptarët kosovarë se ata nuk kanë pavarësi, nuk kanë liri, nuk kanë shtet e sovranitet?! Kush është ai politikan udhëheqës e gjeneral prijës që mundet t’i bindë kosovarët shqiptarë se ata janë në të njëjtën pozitë politike, juridike dhe ekonomike me trojet tjera të Shqipërisë Etnike dhe se duhet t’u bashkohen atyre në luftë për liri, për çlirim e ribashkim kombëtar, për ribërjen e Shqipërisë Etnike?! Vallë, kur dhe sa shpejtë do ta kuptojnë shqiptarët e Kosovës se ata jetojnë në një pseudoshtet, me një pavarësi të cunguar dhe me një liri të rrejshme dhe të ndarë nga trungu i Shqipërisë Etnike?! As dje Shqiptarët nuk ishin aq të mirëorganizuar për një ide e një qëllim, kurse tani që Kosova do të bëhet ”shtet” pa pushtet, do të bëhet ”pavarësi” pa liri dhe do të ndahet nga fronti i përbashkët mbarëkombëtar për bërjen e Shqipërisë Etnike, tani e tutje do të jetë edhe më vështirë për kombin tonë që të mobilizohet, që të solidarizohet dhe të ribashkohet në një Shtet Kombëtar! Tani e tutje Kosova e kosovarët, të moderuar e të kulturuar, sikurse Shqipëria e shqiptarët, do t’u mbajnë leksione ”ex catedra” Shqiptarëve të Iliridës, Kosovës Lindore, Malësisë së Madhe e të Çamërisë se si ata duhet të jenë të ”qetë”, ”paqësorë”, të ”logjikshëm”, të ”matur”, ”konstruktivë”, ”bashkëpunues”, "elastikë", të ”dëgjueshëm”, "dialoguesë", ”stabilizuesë”, ”jo kryengritës”, ”jo luftënxitës”,… dhe që të rrinë urtë e të mos prishin rehatinë e pushtuesve sllavo-grekë, që të pranojnë paqen në robëri, të mos prishin paqen e pushtuesve dhe të mos prishin paqen dhe stabilitetin e Ballkanit dhe të Europës!!!
Nga qëndrimi i politikës sektariste, egoiste e oportuniste të Shqipërisë londineze ndaj Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare jashtë saj, Kosova dhe krahinat tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi u detyruan që t’i largojnë shpresat dhe iluzionet tek ndihma politiko-ushtarake dhe ekonomiko- logjistike e Shqipërisë, u zhdehën nga propaganda paqësore e Tiranës zyrtare, u kthjelluan nga premtimet boshe për ndihmë vëllezërve të një gjaku,… dhe e morën fatin e tyre në duar të veta dhe u organizuan, u mobilizuan dhe ashtu siç mundën e sa ditën, u ngritën në këmbë, rrokën armët dhe shpërthyen kryengritjen e armatosur, nisën luftën çlirimtare kundër pushtueseve sllavomëdhenj.
Tani kësaj politike e propagande false, ”përkrahëse e vëllazërore” të Tiranës zyrtare, në ”mbështetje” të vëllezërve të tyre për liri e pavarësi, do t’i shtohet edhe propaganda dhe politika hipokrite e Prishtinës zyrtare! Këto dy kryeqytete shqiptare tani si në kor do të koordinojnë politikat e tyre të jashtme kundër përpjekjeve të vërteta, kundër kryengritjeve dhe luftërave për liri e pavarësi të trojeve tjera shqiptare: Iliridës, Kosovës Lindore, Malësisë së Madhe e të Çamërisë!
Do të ndodhë kështu, sepse këto dy shtete shqiptare do të shikojnë interesin e tyre e nuk do të çajnë kokën për krahinat tjera shqiptare a janë të robëruara apo të çliruara! Kështu veproi deri më sot Shqipëria e Tiranës ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, kështu do të veprojë këtej e tutje edhe Kosova e Prishtinës, bashkë me Tiranën, ndaj krahinave tjera shqiptare që ndodhen ende nën pushtimin e huaj sllavo-grek!
Ndodhë dhe do të ndodhë kështu sepse i ngopuri nuk e beson të uriturin, i pasuri nuk e beson të varfrin, i shëndoshi nuk e beson të sëmurin, i çliruari nuk e beson të robëruarin,…!
Nga realiteti i ri i krijuar me dredhi nga Fuqitë e Mëdha, Shqipëria Etnike nuk ka shkuar në drejtim të bashkimit të saj, por në drejtim të ndarjes së mëtejshme të saj! Me ”Shtetin” e Kosovës do të dobësohet edhe më tej solidariteti dhe lufta e përbashkët e kombit shqiptar për ribashkim kombëtar. Do të thyhet edhe një krah i fuqishëm i kësaj lufte. Ashtu siç bënte sehir Shqipëria londineze kur luftonte e përgjakej Kosova nga serbomëdhenjtë, po ashtu do të shikojë e bëjë sehir Kosova unmikistaneze kur do të luftojnë e gjakosen për liri e pavarësi Shqiptarët e Trojeve tjera Shqiptare që ende kanë mbetur nën robëri dhe pushtim greko-sllav!
Ky është fati i Shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike. Shqiptarët e pafat dhe josolidarë në mes vete, janë të detyruar edhe më tej që të luftojnë të ndarë dhe secila krahinë shqiptare të luftojë e vetmuar dhe për vete!

15 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›