E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerez te Humbur 15 Dhjetor

Gjetja e nënës së një 23-vjeçari dhe informacione shpresëdhënëse për të gjithë personat e konsideruar të humbur në programin investigativo-social “Njerëz të humbur” ishte lajtmotivi i një jave më parë në studion e Vizion Plusit. Aida Shtino dhe stafi i saj i gazetarëve nëpërmjet valëve satelitore dhe tokësore të Vizion Plus arritën të përçonin te publiku anembanë Europës emocionet e gjetjes së nënës biologjike të Fatmir Musajt. 23-vjeçari me vendbanim në qytetin e Tropojës, erdhi në jetë nga prindërit e tij biologjik të cilët e braktisën qëkurse ai lindi. Më pas fati do ta dërgonte Fatmirin në Shtëpinë e Fëmijës, në qytetin e Shkodrës. Në këtë institucion Fatmiri do të qëndronte deri në moshën 5-vjeçare, kohë kur u birësua edhe nga dy prindër me origjinë nga Tropoja të quajtur Dash dhe Sose Musaj, të cilët nuk jetojnë më. Fatmiri u shpreh plot emocion gjatë transmetimit direkt të “Njerëz të humbur” duke thënë se ”i kishte menduar gjithmonë prindërit e tij të vërtetë dhe gjithmonë kishte dashur të lëvizte për t’i kërkuar, por mundësitë gjeografike dhe ekonomike e kishin penguar për të ndërmarrë një iniciativë të tillë”. Fatmiri i papunë u shoqërua nga një fqinj i tij, me të cilin kaloi edhe portën që të çonte në studion e “Njerëz të humbur”. Në fytyrën e tij dukej e skalitur një jete e pajetuar siç mund të ishte e imagjinuar në ëndrrat e Fatmirit. Sapo Aida Shtino i pohoi lajmin e gjetjes së nënës një djesi e çuditshme e mbërtheu në vend. Ndoshta befasia apo momenti i shumëpritur e përhumbi atë për një moment duke mos i besuar atij lajmi! Teksa i afrohej telefonit për të dëgjuar zërin e dashur të nënës së tij, Fatmiri prekte sytë dhe ballin sepse ende nuk e besonte që do fliste me nënën e tij. Fjalët e para të shkëmbyera mes tyre ishin përmes telefonit por më pas Fatmiri arriti të përqafojë me mall nënën e cila e priste në një nga sallat e Vizion Plusit. Historia e humbjes së Geraldo Dautit në muaji prill të vitit 2001 ishte një tjetër histori që bëri kureshtarë qindra teleshikues për mënyrën e befasishme të humbjes së kontakteve të tij me shokët. Atë ditë në mëngjes Geraldo ka pritur derisa të gjithë pjesëtarët e familjes kanë dalë nga shtëpia është nisur gjoja për në shkollë, por është kthyer në mes të rrugës duke marrë me vete të gjitha rrobat e tij. Atë natë ai kishte fjetur në Tiranë dhe një ditë më pas në datën 14 prill të vitit 2001 ai së bashku me dy shokë ndërsa me dy shokët e tjerë takohen gjatë rrugës. Pasi mbërrijnë në Korçë, ata ndahen, Ledi dhe Klodi nisen për në Greqi maleve ndërsa Geraldo dhe dy shokët e tjerë të konsideruar të panjohur do të largoheshin me taksi. Dy ditë më vonë Ledi dhe Klajdi kthehen në shtëpi pasi i kishte kapur policia në një fshat të Greqisë, ndërkohë për Geraldon nuk u mor vesh asgjë madje as për shokët e tij. Sapo u prezantua si histori në “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus vëmendja ndaj këtij rasti u përqendrua në zonën Nikias në Greqi. Emigrantë të shumtë shqiptarë me banim në këtë zonë morën në telefon dhe pohuan faktin se djali mund të ketë aplikuar për dokumente në bashkinë e kësaj zone. Pista e Greqisë do të shndërrohet sërish në arenën e kërkimeve edhe këtë javë duke çuar deri në fund kërkimin rreth fatit të Geraldos i humbur që në prill të vitit 2001 në Korçë. Sonte në “Njerëz të humbur” do të mund të ndiqni : Humbet kontaktet në prill të 1997-s. Enigma: Adriatik Boshnjaku zhduket nga pronari apo nga dy shoqëruesit e tij!? “Njerëz të humbur” siguron dëshmi ekskluzive që vërtetojnë ekzistencën e Geraldo Dautit në shtetin helen! Ajo troket pas 39 vitesh në “Njerëz të humbur” në kërkim të nënës biologjike! Ndiqni historinë e vajzës shkodrane Fatbardha Lacaj! Këto dhe surpriza të tjera ju ftojmë t`i përjetoni sonte në “Njerëz të humbur”, ora 21:00 në Vizion Plus!

15 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›