E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë – Serbi, dështon dialogu. Serbia humbet statusin e vendit kandidat

02-12-2011 / Gazeta 55

Kryenegociatorja, Edita Tahiri: Me Serbinë të merret BE - Beogradi refuzon bashkëpunimin

Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë raundi i tetë i të cilit përfundoi pa sukses mbrëmë vonë gjatë natës, mund të vazhdojë gjatë fundjavës, transmeton Tanjug duke cituar burime diplomatike në Bruksel. Ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper do të njoftojë sot vendet anëtare të BE-së për rezultatet e deritashme të bisedimeve Kosovë – Serbi.
Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, tha se Serbia nuk ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Europian për menaxhimin e integruar të kufijve. Kryenegociatorja Edita Tahiri tha për televizionin Koha në Prishtine se “Kosova e ka pranuar marrëveshjen ndërsa Serbia jo”. “Ne e kemi pranuar marrëveshjen, por tani e tutje i mbetet BE-së që të merret me Serbinë në ditët në vazhdim. Kosova edhe sonte ka fituar një vlerësim të lartë para miqve. Ajo shpreson se Bashkimi Europian do t’i bëjë presion Serbisë për të pranuar marrëveshjen për kufijtë. Edhe shefi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviç ka konfirmuar për mediat serbe se takimi ka përfunduar pa marrëveshje”- u shpreh Tahiri.
Ende nuk është e qartë nëse ky raund bisedimesh do të vazhdojë edhe sot apo Cooper do ta shpallë të mbyllur.
Me këtë qëndrim, Serbia duket se përfundimisht po humb statusin e kandidatit për këtë vit. Kjo është përforcuar edhe nga deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel e cila ka deklaruar se e vetmja rrugë e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të jetë përmes normalizimit të raporteve me Kosovën. Merkel ka thënë qartë se kushtet e vëna para Serbisë për statusin e kandidatit deri me tash nuk janë plotësuar.
Diplomatët në Bruksel i kanë thënë “Kohës Ditore” se pas një deklarate të tillë të kancelares gjermane është bërë pothuajse e pamundur që Serbia të marrë statusin e kandidatit në samitin e BE-së, javën e ardhshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›