E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova nuk toleron Serbinë për kufirin

PRISHTINË- Kosova në dialogun teknik me Serbinë ka qëndrime shumë të qarta, deklaroi sot kryeministri Hashim Thaçi, pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa në Bruksel vijonte prej tre ditësh raundi i tetë.

"Shteti i Kosovës i ka qëndrimet shumë të qarta, gjithçka do të respektohet në përputhje me dokumentin e Presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën dhe ligjet tona. Çështjet janë teknike, çdo pretendim për të tejkaluar këto dokumente është për Prishtinën diçka e patejkalueshme",- theksoi kryeministri Thaci.

Shefi i qeverisë kosovare nënvizoi se qëndrimet e Kosovës janë shumë të qarta dhe se synohet të shkohet në drejtim të zgjidhjeve sipas modelit evropian.
"Në kuadër të kësaj, ka qenë edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është një model i lartë evropian, që të dominojë edhe në rajonin tonë, në mes të Kosovës dhe vendeve fqinje, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, por edhe me Serbinë, që do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit, komunikimit në mes të vendit tonë dhe vendeve në rajon, por edhe popujve të tjerë",- theksoi Thaçi.

Sipas tij, "menaxhimi i integruar i kufirit është plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet tona", ndërsa sqaroi se "Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka nxjerrë vetë Ligjin për menaxhimin e integruar të kufirit, është model dhe standard evropian".
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›