Topalli: Rishikimi i rregullores, të përshtasim praktikat e parlamentit Evropian

Mblidhet grupi i punës për rishikimin e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë
Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nisi sot nga puna komisioni për rishikimin dhe përmirësimin e rregullores së Kuvendit, në bazë të marrëveshjes politike të 14 nëntorit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Grupi i punës i cili do të merret me reformën parlamentare është i përbërë nga 4 persona ku nga ana e Partisë Demokratike janë deputetët Jemin Gjana dhe Viktor Gumi ndërsa nga Partia Socialiste, Namik Dokle dhe Ditmir Bushati. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi se puna e komisionit do fokusohet në përshtatjen e praktikave të Parlamentit Evropian. Në fjalën e tij, deputeti i PS-së Namik Dokle e quajti këtë një ditë të rëndësishme nga pikëpamja e prakticitetit të punës në Kuvend. “Gjatë kësaj kohe kemi bërë dhe ndryshuar rregullore, por jeta parlamentare sugjeron ndryshime të tjera. Nga kjo pikëpamje domosdoshmëria e përmirësimit është evidente, ky do i japë impuls punës së grupit, por këtë nuk e konceptojmë si punë e 4 vetëve, por gjithë deputetëve, ekspertë të fushës, për të bërë diçka sa më të mirë”- theksoi Dokle. Dokle vlerësoi përmirësimin e kuadrit ligjor të statusit të deputetit duke iu referuar praktikës së PE, duke theksuar se nuk është përmirësim nenesh të rregullores, por thellim i mëtejshëm i jetës parlamentare. “Besoj në gatishmërinë tuaj që të krijohen të gjitha kushte e mundshme. Janë të ftuar të gjithë deputetët të japin mendimet e tyre pasi nuk jemi vetëm ne të cilët vendosim për ndryshimet në rregullore”- theksoi Dokle. Ndërkohë grupi i Punës ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë 4-mujore, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet.
...