E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë/ 150 mijë nënshkrime për mbylljen e procesit ndaj Kurtit

Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit ka mbyllur peticionin për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj kreut të Lëvizjes "Vetëvendosje", ndërsa javën e ardhshme do t'ia dorëzojnë peticionin kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, nga i cili do të kërkohet mbajtja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të trajtoheshin kërkesat e nënshkruara nga rreth 150 mijë qytetarë të Kosovës.
Anëtarë të Këshillit të dielën në një konferencë për media kanë bërë të ditur se të premten është mbyllur peticioni për mbylljen e procesit ndaj Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve ndërkombëtare për ngjarjet e 10 shkurtit.
Sipas tyre, për 19 ditë janë mbledhur 148.183 nënshkrime, prej tyre në 2.414 nënshkrime mungojnë numrat personal të nënshkruesve të peticionit, andaj konsiderojnë se të pranueshme janë 145.769 nënshkrime.
"Ne peticionin do t'ua dorëzojmë kryetarit të Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqit me këtë të fundit ne do të kërkojmë një takim të veçantë ku do të kërkojmë që në emër tash më jo vetëm të këshillit, por të 150.000 qytetarëve të Kosovës që këto kërkesa të shtrohen në një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar në Kuvendin e Kosovës", ka thënë Valon Murati.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›