Kosove AAK drejt qeverisjes

Duket se Haradinaj, i cili deri dje ishte rivali kryesor politik i Hashim Thacit, sot teksa ndodhet në Hagë, të gjithë përgjegjësinë për të vendosur për koalicionin qeverisës e ka kaluar në duar të lidershipit aktual të AAK-së.
Madje, burime partiake thonë se AAK tashmë i ka duart e lira për sa i përket hyrjes në koalicion me PDK-në.
Përfshirja e Haradinajt në punët partiake në Prishtinë po e dëmton procesin ndaj tij në Hagë, ndaj mësohet se vetë ai ka kërkuar që emri i tij të mos lakohet as në media.
Anëtarë të AAK-së, të cilët flasin në kushte anonimati, thonë se Haradinaj i ka thënë kryesisë së partisë se beson në pjekurinë e saj politike dhe se cfarëdo vendimi që merret nga partia do të përkrahet nga ai.
Sidoqoftë, pavarësisht lirisë së veprimit, nënkryetari Blerim Shala, i cili drejton aktualisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se nuk ka ndryshim qëndrimi përsa i përket hyrjes në koalicion qeverisës me partinë e Thacit.
Shala vizitoi Haradinajn në Hagë javën e kaluar, por ai mohon të ketë shkuar atje për të marrë vendimin përfundimtar përsa i përket hyrjes në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Por nënkryetari nuk e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me kreun e PDK-së si fitues potencial i këtyre zgjedhjeve, megjithëse tha se deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim.