E Shtunë, 31 Tetor 2026

Termokos kryengritje ndaj qeverise

Komuna kundër shtetit! Këtë karakter mori të enjten në Prishtinë përpjekja e kompanisë që ngroh qytetin për të shkëputur nga rrjeti institucionet shtetërore që nuk kanë paguar.

Së pari, ata e nisën me objektin e Ministrisë së Arsimit dhe të Akademisë së Shkencave të Kosovës, borxhi i të cilave shkon në rreth 24 mijë euro.

Por, fillimisht dyert e objektit të Ministrisë së Arsimit nuk u hapën. Të gjitha objektet qeveritare janë nën menaxhimin e Ministrisë së Administratës Publike, zyrtarë të së cilës kundërhstuan aksionin.

Megjithë këto kundërshtime, teknikët e “Termokos” u lejuan më pas që të shkëpusin nga sistemi i ngrohjes godinën e Ministrisë së Arsimit dhe të Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Por “Termokos” nuk mundi të ndëshkojë edhe objektin e ish-Rilindjes, ku janë vendosur 4 ministri, ajo e Administratës Publike, Drejtësisë, Pushtetit Lokal, dhe e Ambientit. Zyrtarë të kompanisë thonë se vlera e borxhit të këtyre ministrive kap shifrën e rreth 91 mijë eurove.

“Ne jemi në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë. Nuk na lejohet të bëjmë shkycjen e objektit. Cështjen do ta cojmë në polici”, ka deklaruar Driton Hyseni, menaxher i konsumit në “Termokos”.

Ndërsa në Ministrinë e Administratës Publike nuk pajtohen me mënyrën se si “Termokos” i ka faturuar shpenzimet.

“Ligji i rregullatorit parashikon që ngrohja të bëhet vetëm kur faturimi bëhet sipas ngrohjes dhe jo me metër katrorë”, ka thënë Visar Xani, zëdhënës i këtij dikasteri.

Sidoqoftë, jo vetëm institucionet shtetërore janë borxhlinj ndaj “Termokos”. Në periudhën e pasluftës shuma e përgjithshme e borxhit nga konsumatorët kap shifrën e mbi 15 milionë eurove.

Ndërsa zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje vazhdojnë të apelojnë që konsumatorët e kryeqytetit të shlyejnë borxhin në mënyrë që furnizimi me ngrohje të jetë sipas nevojave e jo vetëm 6 orë në ditë.

E nëse borxhet nuk fillojnë të shlyhen, zyrtarët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet deri në mbyllje të kompanisë, sic paralajmeron drejtoresha e “Termokos”, Fllanza Pula.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›