E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, AAK shënon dhjetë vjetorin e saj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përkujtoi dhjetë vjetorin e themelimit të saj. Në ceremonine festive, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, tha se gjatë dhjetë viteve të ekzistencës së saj AAK-ja ka arritur suksese të mëdha, ndërkohë që e ka cilësuar si të korruptuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi.

“Kosova e pavarur udhëhiqet nga institucione të korruptuara dhe të komprometuara. Vetvetiu misioni ynë është për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja në të cilën e kanë sjellë institucionet e sotme. Ky mision mund t’i bashkojë Aleancën, shoqërinë civile, njerëzit e politikës, qytetarët e vendit, miqtë të cilët besojnë se Kosova ende është tregim i suksesit. E kam për nder që së bashku me ju këtë mision ta bëjmë realitet”, deklaroi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

“Me udhëheqësinë e sotme që ka, Republika e Kosovës po bashkëjeton gati me të gjitha problemet që i ka trashëguar ky shtet: Akoma jemi pa integritet territorial, pa kufijtë e kontrolluar në veri të vendit, pa Rend Kushtetues dhe Ligjor në një të pestën e Kosovës, pa perspektivë të qartë ndërkombëtare, pa një udhërrëfyes për të hyrë në Paktin NATO dhe në BE, pa një plan të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik që do të përmirësonte jetën e çdo qytetari”, u shpreh Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së.

Në dhjetëvjetorin e themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës udhëheqësit e kësaj partie u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, të pakënaqur me udhëheqjen aktuale, që t’i bashkohen AAK-së në rrugën e saj për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja e rëndë në të cilën e ka futur Kryeministri, Hashim Thaçi.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›