Kosovë, Doris Pack: Referendumi në Veri, pasoja negative për integrimin e Serbisë

Mbajtja e referendumit më 14 dhe 15 shkurt në veri të Kosovës po kundërshtohet edhe nga Brukseli
Në terren nuk po shihen rezultatet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, si parakusht që Serbisë t’i dorëzohet statusi i kandidatit për në BE.
“Për fat të keq, në këtë moment nuk shoh se ka ndryshuar ndonjë gjë”, tha eurodeputetja gjermane Doris Pack, pasi ka përkrahur Rezolutën e Parlamentit Europian, ku i kërkohet Këshillit të Evropës të përkrahë në mars kandidaturën e Serbisë.
Pak ka thënë se pritet vetëm vullnet i mirë i Serbisë në marrëdhëniet me Kosovën.
“Të gjithë, duhet ta kenë të qartë se ndarja e Kosovës nga Serbia ishte rezultat direkt i aparteidit, të cilin regjimi i Slobodan Milosheviqit e ka zbatuar në Kosovë. Dhe këtë unë e di shumë mirë, sepse në ato vite rregullisht kam qenë atje”, ka theksuar Doris Pack.
Por, jo vetëm stabilizimi i marrëdhënieve me Prishtinën janë parakusht për Serbinë, por edhe referendumi i paralajmëruar nga vetë serbët lokalë në veri.
Pack tha se mbajtja e këtij referendumi do të kishte pasoja serioze për proceset integruese të Beogradit, ndërsa në anën tjetër politikanë dhe analistë serbë japin parashikime të zymta.
Beogradi i cili është i pakënaqur me vendimin e serbëve lokalë po përpiqet t’i disiplinojë.
Disa analistët mendojnë se ekzistojnë paralajmërime të qarta dhe presione, ndërsa të tjerë nuk besojnë se shteti serb të jetë i interesuar të përkeqësojë raportet me banorët serbë të veriut të Kosovës dhe t’i dënojë ata, për shkak të referendumit.
...