E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: 21 janari u bë për mandatet e dyta të Ina Ramës dhe Bamir Topit

29-01-2012 / Gazeta 55

Deklarata vjen nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi 


Nënkryetari i PD, Astrit Patozi deklaroi sot se titullarja e organit të akuzës devijoi hetimet e dhunës së 21 janarit, duke mos ngritur asnjë akuzë për organizatorët e rrethimit 5 orësh të selisë së Këshillit të Ministrave. Patozi tha se pavarësisht se dhuna ndaj forcave të rendit dhe selisë së Këshillit të Ministrave ishte evidente, Kryeprokurorja flet vetëm për ‘ngjarje në bulevard’ dhe për asnjë referencë tjetër. Kreu i grupit kuvendor të PD thotë gjithashtu se Presidenti dhe Kryeprokurorja ishin të interesuar të kishte një rotacion të shpejtë të pushtetit, për shkak të mbarimit të mandateve të tyre. “E them me bindje se ato që kanë ndodhur thjesht kanë konfirmuar qëndrimin tonë, sepse gjatë kësaj kohe është mohuar katërciprisht se ka pasur një përpjekje të dhunshme për të marrë Këshillin e Ministrave, për të krijuar një traumë të shtetit ligjor në Shqipëri, për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues dhe për të ndryshuar Kryeministrin. Kjo është tashmë një gjë që e dinë të gjithë. Unë e shikoj në dy këndvështrime. Së pari, kjo nuk është një ngjarje e rëndomtë në shtetet demokratike perëndimore që Prokurori të dalë dhe të japë, apo të shpalosë opinionet dhe qëndrimet e tij, qofshin këto politike, qofshin këto edhe në raport me ligjin. Nuk është fare e zakontë dhe dalja e zonjës Rama në “Opinion”, nuk është gjë tjetër vetëm kompromentim i rëndë i pozicionit të saj. Sikur të mos kishte thënë asgjë, sikur të kishte folur vetëm për shijet e saj për veshjet, apo shijet e saj, ngjyrat, apo për jetën e natës sigurisht që do të ishte prapë kompromentuese. Pse? Sepse Prokurori i Përgjithshëm ka një përgjegjësi si zyrtar i lartë në sistemin e drejtësisë, nuk paguhet dhe nuk ka përgjegjësi për të dhënë opinionet e tyre, sepse ato shprehen me vendime. Ne nuk presim nga Prokurori i Përgjithshëm që të japë qëndrimin e tij në raport me palët politike, në rast se ka diçka për të thënë e thotë me vendime, me veprime dhe mosveprime. Unë kam të gjithë të drejtën për të menduar, se zonja Rama ka qëllime politike, se zonja Rama ndoshta pa ja kërkuar askush, ndoshta dhe dikush ja kërkon, i bën këto tërësisht në favor të opozitës, madje unë mendoj se në disa raste e tejkalon opozitën, sepse nuk mund të imagjinoj se si mundet Prokurori të ketë përçmim, të mos përdorë as fjalën Këshilli i Ministrave, qeveri, por të flasë për ngjarje bulevardi edhe pas një viti. Nuk mund të imagjinoj, unë këtë e kam parë tek Prokurorja e Përgjithshme në një emision televiziv”- u shpreh Patozi. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›