E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë/ Dy vjet nga pavarësia, politika e ndarë për arritjet

Në prag të përvjetorit të dytë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe fillimit të zbatimit të Kushtetutës, politika kosovare është e ndarë përsa i përket rezultatit të arritur në zbatueshmërinë e aktit më të lartë ligjor të shtetit. Sipas pozitës, është bërë dhe po bëhet maksimumi i mundshëm, ndërsa opozita pohon të kundërtën. Zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi, i cili njëherazi ka kryesuar Komisionin Kushtetues të Republikës së Kosovës, ka thënë për "Kosova Sot" se janë nxjerrë ligje të domosdoshme të parashikuara me kushtetutë e janë ndërtuar institucionet shtetërore në sferat më të ndjeshme, si psh ato të punëve të jashtme dhe të sigurisë, si dhe janë bartur kompetenca nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore. "Ka pasur sfida të ndryshme, megjithatë ne kemi arritur të ruajmë tërësinë territoriale, të shtrijmë sovranitetin dhe të zbatojmë kushtetutën dhe ligjet tona", ka thënë Kuçi. Nga ana tjetër, nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, mendon se progresi nuk ka qenë aq i madh në shtrirjen e autoritetit shtetëror, por "ka pasur një përparim të konsiderueshëm në përfshirjen e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, përmes zgjedhjeve të fundit lokale". Ndërsa sekretari i përgjithshëm i LDD-së, Lulzim Zeneli, thotë se "Kosova ndodhet në një situatë më të keqe se edhe para një viti", ndërsa shton se vendi "është klasifikuar 6 pozicione më poshtë në raportin e Bankës Botërore përsa i përket perspektivës ekonomike, biznesit dhe sigurisë së investimeve". Sipas Zenelit, më shqetësues mbetet investimi nga Beogradi për fuqizimin e strukturave paralele, dhe "në anën tjetër injoranca dhe papërgjegjësia totale e pushtetit aktual për ta funksionalizuar shtetin e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›