Kosovë/ Fillojnë arrestimet për rastin 'Bllaca"
Policia e EULEX-it ka arrestuar të martën një person të dyshuar për pjesëmarrje në dy tentativa për vrasje që lidhen me rastin "Bllaca". Arrestimi është bërë me urdhër të gjykatësit të EULEX-it. I arrestuari është Driton H., i cili akuzohet se ka marrë pjesë në dy tentativa për vrasje, një në nëntor të vitit 1999 në Prishtinë, dhe tjetra në qershor të vitit 2000 në Ferizaj, bëhet e ditur në një komunikatë të EULEX-it.
Driton H., është i arrestuari i dytë në rastin Bllaca, pas arrestimit të Nazim Bllacës, i cili publikisht kishte dëshmuar për vrasjet e pasluftës në Kosovë.
Bllaca, u prezantua para gazetarëve si ish-punëtor i SHIK-ut, ndërsa kishte pranuar se është autor i një vrasjeje dhe se ka marrë pjesë edhe në 17 raste të tjera që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.
Bllaca gjendet në arrest shtëpie prej 1 dhjetorit 2009. Ai akuzohet për vrasje, tentim vrasje dhe krim të organizuar.