E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë/ KQZ jep rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore

Pas shumë shtyrjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor më në fund ka dhënë rezultatet paraprake e zgjedhjeve lokale. Kryetarja, Nesrin Lushta, ka rikujtuar faktin se këto rezultate mund të pësojnë ndryshime, duke shtuar se në disa qendra votimi ende nuk është bërë numërimi i votave.
Në bazë të rezultateve paraprake, nga qendrat e mëdha, në Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së e në Gjakovë ai i AAK-së, në Ferizaj kandidati i PDK-së, ndërkohë në qendrat tjera të mëdha, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, do të ketë balotazh.
Sipas këtyre rezultateve, në kryeqytet ka fituar kandidati i LDK-së, Isa Mustafa me 56.6 %. Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj i AAK-së me 67.7%. Në Mamushë ka fituar kandidati i partisë turke KDTP, Arif Bytyqi me 80.9%
Në Gjakovë fitues ka dalë kandidati i AAK-së, Pal Lekaj me 52.8 %. Në Gllogovc ka fituar kandidati i PDK-së, Nexhat Demaku me 89.9% të votave. Në komunën e Fushë Kosovës zgjedhjet i ka fituar kandidati i LDK-së Burim Berisha me 57.2 %.
Në Leposaviç ka pasur vetëm një kandidate, Ardita Hasani nga AAK, e cila ka fituar përqindjen e plotë të zgjedhjeve.
Kandidati i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka fituar me 50.2% të votave. Kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku, ka fituar zgjedhjet në komunën e Skenderajt me 85%. Në Shtime, kandidati i PDK-së, Naim Ismajli, ka fituar 51.6% të votave në këtë komunë. Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga PDK, ka fituar 50.5% të votave.
Në Zveçan, të gjitha votat i ka fituar kandidati i AAK-së, Sami Kelmendi, ndërsa në Zubin Potok ka dalë fitues kandidati i PDK-së, Naser Ferizi me 53.4%. Në komunën e Graçanicës, fitues është Bojan Stojanoviq me 61.8%. Në Ranillug, Dragimir Mikic, nga GIOR me 70.4%, ndërsa në Kllokot, Sasha Mirkoviq, nga SLS ka fituar të gjitha votat.
Kryetarja e KQZ-së deklaroi se pas dy ose tri ditëve do të jepet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›