E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synimi i SHBA-së, mposhtja e Al Qaidës

*Zonja sekretare, qeveria juaj po e shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave shtesë në Afganistan. Me çfarë qëllimi? A është synimi juaj ndërtimi i një shoqërie civile të stilit perëndimor atje, apo thjesht dëshironi të parandaloni krijimin e bazave të reja për terroristët?
Clinton: Presidenti Obama ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar. Ai i është qasur një procesi, gjatë të cilit ka vlerësuar të gjitha aksionet e mundshme. Mendoj se ky proces ka qenë mjaft produktiv. Por më duhet të them se gjatë procesit tonë vlerësues, synimi ynë kryesor mbetet mposhtja e Al Qaidës dhe e aleatëve ekstremistë të kësaj organizate.

*Dhe çfarë do të thotë kjo për popullin afgan, për jetën e përditshme të afganëve?
Clinton: Shpresoj se populli i Afganistanit në të ardhmen do të ketë një jetë më të mirë, se do të ketë zhvillim politik, social dhe ekonomik. Megjithatë, ne jemi në Afganistan, ngase nuk mund të lejojmë që ky vend të shndërrohet sërish në bazë të terroristëve.

*Në Afganistan kemi pothuajse për çdo ditë sulme terroriste. Ka shumë njerëz në Evropë, të cilët pyesin: A duhet ne vërtet të mbrojmë lirinë tonë në Afganistan? A duhet të vdesin ushtarët tanë për një qeveri të korruptuar?
Clinton: Nuk mendoj se ata janë duke luftuar dhe duke u sakrifikuar për qeverinë afgane- ata këtë e bëjnë për të gjithë ne. Edhe pjesëtarët e ushtrisë afgane janë të gatshëm që të luftojnë, e madje edhe të vdesin përkrah ushtarëve tanë. Është e qartë se populli afgan nuk e dëshiron kthimin e talebanëve. Për të arritur qëllimet tona, ne kemi filluar angazhimin për të forcuar shtetin, i cili është në gjendje të mbrojë veten.

*Situata në Pakistan është pothuajse po aq e rrezikshme, sa edhe ajo në Afganistan, ngase Pakistani posedon armë bërthamore.
Clinton: Besoj se arsenali bërthamor i Pakistanit është i sigurt. Mendoj se ushtria dhe qeveria kanë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e këtyre armëve.

*Por Pakistani po shërben si strehimore për terroristë, e ndoshta ata mbrohen edhe nga disa elemente brenda qeverisë në Islamabad. Gjatë vizitës suaj të fundit në Pakistan, ju u cituat të keni thënë: Është vështirë të besohet se qeveria e Pakistanit nuk ka njohuri për vendstrehimet e Al Qaidës. Çfarë keni dashur të thoni me këtë?
Clinton: Është shqetësues fakti se Al Qaida ka gjetur strehimore në Pakistan. Kjo organizatë bashkëpunon me talebanët në Pakistan, të cilët po i kërcënohen shtetit. Dhe së fundi, qeveria dhe ushtria pakistaneze kanë marrë vendim për një aksion kundër tyre, që në anën tjetër paraqet kërcënim për militantët. Ata janë të vendosur të ndjekin përgjegjësit për sulmet kundër ushtrisë. Unë kam dashur të them: është prioritet më i lartë i qeverisë sime kapja apo vrasja e udhëheqësve të Al Qaidës dhe se na nevojitet ndihma juaj për të realizuar këtë qëllim.

*Dihet mjaft mirë se Mullah Omar, udhëheqësi i talebanëve në Afganistan, ka selinë e tij në afërsi të qytetit pakistanez, Quetta, afër brezit kufitar me Afganistanin. A besoni se zyrtarët e lartë të shërbimit të fshehtë të Pakistanit janë duke ndihmuar ende ekstremistët?
Clinton: Jo ata nga nivelet e larta. Jam e bindur se në nivelet më të larta ne kemi marrëdhënie të mira të punës. Megjithatë, ne edhe në qeverinë tonë kemi me dhjetëra mijëra njerëz, të cilët mbulojnë funksione të ndjeshme. Shpesh ndodh të zbulojmë tradhtarë që kanë përcjellë informata të klasifikuara. Dëshiroj që edhe krerët e lartë në Pakistan të shtojnë përpjekjet, për të pamundësuar që dikush nga nivelet më të ulëta ti ofrojë ndihmë Al Qaidës.

*Sa i përket konfliktit me Iranin, vështirë të shihet ndonjë përparim. Qeveria në Teheran duket se nuk është e vullnetshme që të pranojë ofertën për negociata, e cila mbështetet në propozimin e presidentit amerikan.
Clinton: Mirë, ende nuk kemi një përgjigje të prerë nga ana e iranianëve.

*A është durimi juaj i pafund?
Clinton: Durimi ynë nuk është i pakufi. Ne po kërkojmë nga ata që të dëshmojnë vullnet të mirë. Ne ende nuk e kemi humbur shpresën.

*Nga bota arabe jeni akuzuar se keni tradhtuar palestinezët, gjatë vizitës suaj të fundit në Izrael. Pse kapitulluat para qeverisë së Benjamin Netanyahut, duke e cilësuar si të paprecedent gatishmërinë e tij për të bërë koncesione tejet të vogla?
Clinton: Gjërat duhet të shikohen në kontekst. Në negociata, njeriu shpesh kërkon qëndrime maksimaliste. Ne jemi në favor të përfundimit të aktiviteteve izraelite nëpër koloni- qëndrimi ynë është se aktivitetet nëpër koloni nuk janë legjitime. Por qeveria e Izraelit ka bërë atë që nuk ka bërë asnjë qeveri paraprake e këtij vendi, ka deklaruar se nuk do të ketë ndërtim të kolonive të reja dhe pikë.

*Dhe ju jeni të mendimit se kjo mjafton për të bindur palestinezët që të përfshihen në një rreth të ri të negociatave?
Clinton: Mirë, palët duhet të fillojnë negociatat, ne jemi vetëm formësues. Kjo është me rëndësi, me qëllim që të jemi në gjendje të diskutojmë për atë se cilët do të jenë kufijtë e shtetit të ri dhe kjo do të heshtë të gjithë debatin për kolonitë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›