Thaci: Buxheti 2012 siguron zhvillim real të ekonomisë së vendit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se miratimi i buxhetit të vitit 2012 në Kuvend dëshmon se ai është buxhet i zhvillimit real ekonomik të vendit.
Thaci ka falenderuar deputetët që përmes votës së tyre mbështetën buxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ai e ka cilësuar si buxhetin e rritjes së mirëqënies së qytetarëve.
Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij, Kreu i ekzekutivit ka thënë gjithashtu se viti i ardhshëm do të jetë viti i forcimit të shtetit të Kosovës.
“Falenderoj gjithë deputetët për aprovimin e buxhetit 2012, duke rikonfirmuar se ai është buxheti i vazhdimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, i implementimit të shumë projekteve të rëndësishme, i rritjes së mirëqenies së qytetarëve, i vazhdimit të rritjes së pagave për punëtorët, i reformave demokratike dhe i Kosovës evropiane”, ka deklaruar Thaci.
Pa debat dhe brenda një kohe të shkurtër, Kuvendi i Kosovës miratoi të martën, me 63 vota “pro” dhe 47 “kundër”projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2012 prej 1 miliard e 500 milionë eurosh.