Kosovë, Komisioni Europian do të vëzhgojë zgjedhjet e 15 nëntorit
Blerina Olldashi
Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë do të vëzhgohen nga Komisioni Europian, i cili i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së autoriteteve të këtij vendi. Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, Renzo Davidi, tha se bëhet fjalë për një ekip profesional analitik, që do të qëndrojë gjatë procesit zgjedhor, ditën e votimeve, si dhe në raundin e dytë nëse do të ketë balotazh nëpër komuna. Ky hap i Komisionit Europian është përshëndetur nga Qeveria e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria i kishte adresuar KE-së një letër, ku kërkohej që Komisioni të kishte rolin e vëzhguesit, në funksion të rritjes së standardeve dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira e demokratike. “Ne jemi të përkushtuar fuqishëm që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, me një pjesëmarrje edhe më të madhe, me një pranueshmëri dhe vlerësim edhe prej qytetarëve të Kosovës, edhe prej gjithë komunitetit ndërkombëtar, si një standard shumë i lartë demokratik për ndërtimin e demokracisë së re”,- tha Thaçi. Renzo Davidi tha po ashtu se ky ekip prej 3 personash do të punojë nga afër edhe me një delegacion vëzhguesish nga Parlamenti Europian, institucion ky që pritet të vendosë së shpejti për numrin e stafit që do të dërgojë në Kosovë. Ata do të vrojtojnë punën e institucioneve në lidhje me zgjedhje si dhe çështje të tjera të rëndësishme. “Është një numër ekspertësh, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë deri në fund të procesit. Puna është më shumë e karakterit analitik. Ata do t’i shikojnë mënyrat në të cilat po punojnë institucionet dhe në të cilat do të mbahen zgjedhjet, por edhe çështje të tjera”,- sqaroi Davidi. Ai tha po ashtu se puna e këtij ekipi do të mbështetet eventualisht edhe nga disa anëtarë të Parlamentit Europian, të cilët do të mbërrijnë pak ditë para zgjedhjeve. “Ne presim një grup anëtarësh të Parlamentit Europian, si dhe anëtarë të Komitetit Rajonal. Ata do të mbërrijnë në në fundjavë dhe do të qëndrojnë deri në përfundimin e plotë të procesit”,- theksoi Davidi. Megjithatë, ekipi i vëzhguesve nuk do të ketë si kompetencë certifikimin e rezultatit. “Ky është një mision vlerësues dhe raportues, që do të bëjë një punë teknike, në vija të përvojave të njëjta që kemi pasur në shtete të tjera, si në rastin e Irakut, ku situata e sigurisë nuk na ka lejuar të kemi vendosje të një misioni të plotë, dhe në raste të shteteve tjera, ku nuk kemi qenë të ftuar dhe ku kemi dërguar një mision të vogël”,- theksoi Davidi. Ende nuk bëhet i ditur numri i vëzhguesve, por mendohet se bëhet fjalë për një grup prej 20 personash.
Pavarësia e Kosovës, Haga përcakton agjendën për seancën dëgjimore
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka hartuar agjendën për seancën dëgjimore rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës që fillon më 1 dhjetor në Hagë. Për fazën e fundit të prezantimit të argumenteve për dhe kundër shpalljes pavarësisë së Kosovës, janë paraqitur gjithsej 31 shtete. Në dallim nga dy fazat e mëparshme të procesit, kur në anën e Kosovës kishte numër më të madh të shteteve, në seancën dëgjimore Kosova ka vetëm një aleat më shumë se Serbia. Pavarësinë e Kosovës, sipas mediave do ta mbrojnë 16 shtete, duke përfshirë këtu edhe delegacionin kosovar, ndërkaq qëndrimet serbe do t’i mbështesin 15 shtete, ku bën pjesë edhe Serbia. Diplomacia serbe ka arritur që kësaj here të bindë edhe disa shtete të reja për seancat dëgjuese siç është Laosi, Burundi, etj. Asnjëra nga to nuk ka dorëzuar ndërkaq dokumente në Gjykatë.
Kroaci
Mesiç: “Kosova ka bllokuar normalizimin e rajonit”
Presidenti kroat Stipe Mesiç ka deklaruar se me përcaktimin e statusit të Kosovës, procesi i normalizimit të rajonit të Ballkanit ështe bllokuar. Sipas Mesiç, nga njohja e pavarësisë së Kosovës ka shkaktuar ngadalësimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Zagrebit dhe Beogradit. “Rajoni ka filluar të ecë prapa. Pakënaqësia e Beogradit me njohjen e Kosovës ka filluar të bjerë mbi Bosnjën e Hercegovinën dhe mund të ndikojë në stabilitetin e këtij shteti”,- ka pohuar Mesiç, duke theksuar se vendi i tij nuk ka pretendime territoriale ndaj Bosnjës.
Maqedoni
Enciklopedia fyese me dvd në tregun e zi
Pas tërheqjes nga shitja e Enciklopedisë maqedonase, mësohet se përmbajtja e saj ka dalë me dvd në tregun e zi. Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave dvd-ja është kërkuar nga një numër i madh intelektualësh, studentësh dhe nxënësish. Sipas burimeve, të cilat kanë kontaktuar me Akademinë e Shkencave, krerët e këtij institucioni kanë denoncuar ngjarjen tek strukturat e Ministrisë se Brendshme. Dy ditë më parë, kryesia e ASHAM-it shkarkoi redaksinë që kishte hartuar enciklopedinë, në të cilën fyhej kombi shqiptar.
9 Tetor 2009