Kufitarët e Maqedonisë bllokojnë librat nga Shqipëria
Botuesit shqiptarë janë ndaluar teksa po kalonin kufirin me Maqedoninë, për të çuar librat e tyre në Panairin e Tetovës. Kështu shkruan gazeta “Koha” e Maqedonisë, e cila që në fillim të artikullit shprehet: “Njësoj si edhe vitet e tjera, librat e shtëpive botuese nga Shqipëria, që duhej të jenë pjesëmarrëse në Panairin e Librit Shqip në Tetovë, nga pasditja e së martës janë bllokuar në kufirin e Maqedonisë, në vendkalimin e Qafë Thanës, nga autoritetet kufitare të Maqedonisë.” Lajmi konfirmohet nga drejtori i Panairit të Tetovës, Afet Beadini, i cili pohon se ndonëse dokumentacioni i nevojshëm ka qenë i rregullt, shtëpitë botuese të Shqipërisë janë ndaluar nga ana e autoriteteve kufitare të Maqedonisë. “Botuesit janë ndaluar në kufi dhe mbahen të bllokuar pa ndonjë arsye të veçantë. Ne si organizatorë, bashkë me kryetarin Shoqatës së Botuesve Shqiptarë kemi njoftuar autoritetet përkatëse dhe jemi në pritje që shteti i Maqedonisë të lëshojë botuesit shqiptarë që t'i bashkëngjiten Panairit të Librit”, thotë ai. Sipas përfaqësuesit të shtëpisë botuese "Çamëria", Arben Kondo, të cilit gjithashtu iu bllokuan librat, bëhet fjalë për një cinizëm dhe një lloj hakmarrje ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit dhe kundërvënies që autoritetet shqiptare bënë për botimin e Enciklopedisë sharlatane të Maqedonisë. Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni, Ramadan Ramdani, është shprehur se “Drejtoria e Doganave është vonuar me marrjen e listave të shtëpive botuese, ndërsa gjatë ditës ka filluar procedura e listave të librave. Kemi shpresë se do të arrijnë në kohë për Panairin.” Në anën tjetër, doganierët premtojnë zgjidhjen e problemit. Botuesit nga Shqipëria do të lejohen të futen në Maqedoni bashkë më librat e tyre. Të paktën kështu kanë siguruar nga pika kufitare e Qafë Thanës. Problemi, siç merret vesh, ka qenë një sasi e madhe librash prej 22 pakosh, të cilat kanë pasur probleme me dokumentacionin dhe pasi është bërë verifikimi i duhur, u është thënë botuesve shqiptarë të plotësojnë dokumentacionin. Veç në fund të ditës së djeshme, sipas televizionit Alsat, botuesit me librat nga Shqipëria janë lënë të lirë për ta kaluar kufirin. Megjithatë, tashmë dëmi u bë. Panairi i Tetovës nisi me një numër stendash boshe dhe një pjesë e botuesve nuk u paraqitën fare por u rikthyen në Tiranë, të lodhur e të indinjuar nga ky bllokim.
9 Tetor 2009