Kosovë, LDK zëvendëson tre ministra në qeveri
Në Kosovë zyrtarisht u konkretizua procesi i riformatimit të qeverisë së Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me PDK-në, konfirmoi ndërrimin e tre ministrave të saj në qeveri. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi dhe ministri i Kulturës, Valton Beqiri, do të largohen nga postet e tyre. Tre ministrat e rinj do të jenë, Lutfi Haziri, ministër i Kulturës, Bujar Bukoshi, ministër i Shëndetësisë dhe Haki Demolli ministër i Drejtësisë. Ky lajm u konfirmua pas një mbledhjeje të kryesisë së LDK-së. kryesia vendosi që tre ministra nga radhët e saj, në Qeverinë aktuale të koalicionit me PDK-në, t'i zëvendësojë me tre emra të rinj. Ndërkaq ndryshime të ministrave do të ketë edhe nga radhet e PDK-së. Burime brenda partisë thonë se dikasterët, që presin ministra të rinj janë Ministria e Rendit, ajo e Bujqësisë dhe Minstria e Forcës së Sigurisë. Kryeministri, Hashim Thaçi, pritet që gjatë ditës të konfirmojë ndryshimet në gjashtë ministri. Ndërrime do të ketë edhe në radhët e zëvëndësministrave.
Kelmendi ka ushtruar deri më tani, detyrën e ministres së Drejtësisë; Alush Gashi atë të Shëndetësisë dhe Valton Beqiri, postin e ministrit të Kulturës. Në bazë të marrëveshjes për koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike kanë të drejtë t'i propozojnë ministrat nga radhët e tyre, me vendimin e kryesisë së secilës parti. Ndryshimet e fundit pasojnë përpjekjet katërmujore të Qeverisë së Kosovës për riformatizimin e saj.